GGD-ja takoi një delegacion nga Kongresi Amerikan
Bordi i grupit të Grave Deputete (GGD) të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar një takim delegacionin nga Kongresi Amerikan, të kryesuar nga Omri Rahmil, këshilltar politik i kongresmenit Peter Roskam.
Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Mexhide Mjaku-Topalli, duke falënderuar zyrtarët amerikanë për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë dhe legjislativit të ShBA-së për Kosovën në të gjitha segmentet, i ka njoftuar ata me mënyrën e organizmin, punën dhe aktivitetet e grupit që ajo drejton.
Mjaku-Topalli ka theksuar se fushëveprimi i GGD-së përfshin adresimin e çështjeve që lidhen me të drejtat e grave, si forcimi i rolit të tyre në çdo segment të jetës, barazia gjinore dhe qeverisja e mirë.
Edhe anëtaret e tjera të këtij grupi: Lirie Kajtazi, Arbërie Nagavci, Besa Baftiu, Teuta Haxhiu, Duda Balje dhe Jasmina Zhivkoviq, kanë potencuar çështje të ndryshme nga veprimtaria e përditshme e GGD-së, ndërsa bashkëpunimin me agjencitë e SHBA-ve në Kosovë i konsideruan të një rëndësie të veçantë.
Ndërsa, drejtuesi i delegacionit, Omri Rahmil, si dhe anëtarë të tjerë të delegacionit, i kanë njoftuar përfaqësueset e GGD-së me përfaqësimin gjinor në Kongresin Amerikan, duke bërë me dije se në garën e fundit aktuale vërehet një rritje e numrit të grave.
Ata janë interesuar për shumë çështje që lidhen me veprimtarinë e GGD-së dhe të Kuvendit në përgjithësi.
Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të USAID-it dhe NDI-së në Uashington dhe në Kosovë.
/Epoka e re/