Giggsi: Luajmë për të fituar ndaj Shqipërisë
Edhe pse është vetëm një miqësore, Uellsi do të kërkojë të fitojë ndeshjen me Shqipërinë. Ky është mesazhi i dhënë nga trajneri i skuadrës britanike, Ryan Giggs.
“Sigurisht që kjo ndeshje më jep mundësi të aktivizoj futbollistë të rinj, si dhe ata që kanë luajtur shumë pak e që kanë nevojë për minuta. Duhet të gjejmë ekuilibrin në skuadër. Në këtë miqësore mund të bëhen 6 zëvendësime, kështu që do të mund të ndërroj disa lojtarë. Por, kemi ardhur këtu për të fituar”, ka thënë Ryan Giggs, trajner i Uellsit.
Për Giggs, sfida me kuqezinjtë, që vijnë në këtë ndeshje pas humbjes 4-0 me Skocinë, nuk do të jetë aspak e lehtë për skuadrën e tij, raporton “tch”.
“Nuk ka rëndësi rezultati i kësaj ndeshjeje. Për ne ky ishte një vit i mirë. Por, unë dua që ta mbyllim atë me një fitore. Ndeshja nuk do të jetë e lehtë, sepse një skuadër reagon gjithnjë kur humbet dhe nuk kam dyshim se kjo do të ndodhë edhe me Shqipërinë, pas humbjes me Skocinë. Do të jetë një sfidë e vështirë, por duam ta mbyllim me fitore”, ka shtuar Giggs.