Ginobili: Nga basketbolli u largova për shkak të familjes
Pas 16 vjetësh karrierë në NBA, ku fitoi edhe katër tituj kampionë me skuadrën e San Antonio Spurs, basketbollisti argjentinas Manu Ginobili u tërhoq, një vendim që befasoi disi fansat e 41-vjeçarit.
Në një deklaratë për mediet, Ginobili shpjegoi arsyen që e detyroi të merrte këtë vendim. “U tërhoqa pasi dëshiroja të qëndroja më shumë me familjen time. Gruaja dhe fëmijët më shtynë ta merrja këtë vendim. Me bashkëshorten time në krah kam përjetuar me emocione këto 23 vjet karrierë në basketboll. Ajo është kujdesur për fëmijët, por tani është koha të kaloj më shumë kohë me të dhe miqtë e mi në Argjentinë”, ka thënë Ginobili.
Më tej, basketbollisti argjentinas, që hoqi dorë nga 2.5 milionë dollarë nga kontrata që skadonte verën e 2019-s, shton: “Luajta sezonin e kaluar në NBA sikur të ishte sezoni im i fundit, edhe pse nuk e dija se do të tërhiqesha. Por vendimi erdhi pas pushimeve me familjen dhe mendoj se ishte vendimi i duhur dhe i drejtë për t’u marrë. Nuk ishte e lehtë për ta shkruar vendimin e tërheqjes nga sporti, por jam i përgatitur për të ardhmen, edhe pse nuk e di se si do të jetojë pa basketbollin. Por, do të jem i shoqëruar nga familja ime”.