Giresse: Duhet fokus maksimal për të marrë maksimumin
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll i zhvillon dy ndeshje kualifikuese për “Euro 2024” ndaj Rumanisë dhe Bjellorusisë. Përzgjedhësi i “dardanëve” Alain Giresse në konferencën e organizuar të premten ka kërkuar fokusim maksimal nga ekipi i tij për dy ndeshjet e këtij muaji.
Strategu francez ka bërë thirrje që të mendohet sa me pak për dy ndeshjet e kaluara dhe fokusi të jetë pikërisht në ndeshjet ndaj rumunëve dhe bjellorusëve. “Nuk do koment fakti se këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme. Ajo çfarë do të bëjmë për këto dy përballje është që të tentojmë të mendojmë sa më pak për atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Do të mobilizohemi të përgatitemi sa më mirë. Ju i referoheni dy ndeshjeve të kaluara që u mbyllën baras kur thoni se kishim dy rezultate negative, por unë nuk konsideroj se rezultati me Izraelin ishte negativ, nëse po ai me Andorrën. Prandaj duhet të fokusohemi dhe të shohim përpara”, ka thënë Giresse, i cili shpreson që të nxjerrët maksimumi nga këto dy përballje.
Sipas Giresse, grumbullimi i “dardanëve” është duke u zhvilluar në mënyrë progresive, teksa ende nuk e kanë filluar punën 100 përqind për shkak se disa prej lojtarëve nuk kanë arritur ende. Në këtë konferencë Giresse është përgjigjur edhe për mos grumbullimin e disa futbollistëve si Florent Hadërgjona, Valon Berisha, Arbër Zeneli, Zymer Bytyqi, Arbnor Muja e Mirlind Daku. “Lista prej 23 lojtarëve është e limituar dhe më takon mua të bëj përzgjedhjen që mendoj se është më e mira. Gjithmonë ka kërkesa ose pyetje pse dikush bën pjesë në listë e pse dikush jo. Herën e fundit kishte pyetje për Ermal Krasniqin, ai sot është pjesë e grumbullimit. Por, gjithmonë varet nga pozicioni ku lojtarët luajnë. Kjo është arsyeja pse janë penalizuar disa lojtarë, ngase në sulm kemi shumë lojtarë, derisa në repartin e mbrojtjes jemi më të kufizuar”, ka deklaruar Giresse, i cili foli edhe për rastin e Arbnor Mujës. Sipas tij, futbollisti që e fitoi titullin në Belgjikë fillimisht nuk ka ardhur në ndeshjet miqësore të vitit të kaluar, pastaj ka qenë pjesë e grumbullimit në dy ndeshjet e marsit, teksa këtë herë lojtari ka kërkuar garanci nëse do të jetë titullar, raporton “Epoka e re”.
“Unë i kam shpjeguar se askush nuk e ka vendin e sigurt në ekip dhe nëse ai mendon kështu, atëherë më mirë të mos vijë fare”, ka shtuar Giresse. Ditët e fundit është folur se Muja do t’i bashkohet Kombëtares së Shqipërisë. Lidhur më këtë temë, menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, ka thënë se këto janë spekulime dhe se kjo nuk është hera e parë që Kosova po shantazhohet në mënyra të tilla.
“Situata e Mujës është shumë e thjeshtë dhe të gjitha ato lajme në media rreth tij janë spekulime. Ai ka qenë që një kohë të gjatë te Kosova në të gjitha grupmoshat dhe mbetet futbollist i Kosovës. Por, shqetësues është fakti se ky është një lloj trendi që vazhdimisht ka qenë viteve të fundit, ndoshta që nuk vjen nga futbollistët por nga agjentët e tyre, duke bërë shantazh që sa herë nuk ftohet një lojtar, atëherë flitet se do të shkojë diku tjetër. Por, ne nuk pranojmë shantazhe të tilla”, ka thënë Shala. Kosova më 16 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e pret Rumaninë, kurse tri ditë më pas do të përballet me Bjellorusinë.
/Epoka e re/