Giresse: Është e rëndësishme që Kosova të luajë me Zvicrën
Selektori i ri i Kosovës, Alain Giresse thotë se për “dardanët” është një nder të paraqiten me një Kombëtare si Zvicra.
Sipas tij, Kosova ka nevojë të përballet me Kombëtare të forta, në mënyrë që ta shohë veten se në çfarë niveli gjendet.
“Zvicra kohëve të fundit është një super-ekip dhe do të jetë një ndeshje interesante. Në të njëjtën kohë, për ne do të jetë një test dhe matës që ta shohim nivelin tonë, që ta shohim se sa mund të krahasohemi me kombëtare më të mëdha se Kosova. Për ne është me shumë rëndësi të luajmë me Kombëtare të mëdha si Zvicra”, ka deklaruar trajneri francez në konferencë për shtyp.
Për Kosovën kjo do të jetë një ndeshje e veçantë duke e pasur parasysh se tek Zvicra luajnë Shaqiri e Xhaka dhe që te Kosova luajnë lojtarë që janë rritur në Zvicër. Krahas Zvicrës, Kosova këtë muaj do të luajë me Burkina Fason.