Giresse fton tre lojtarë nga Superliga, rikthen Paqaraden

16 shtator 2022 | 14:18

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Alain Giresse, të premten e ka publikuar listën e futbollistëve për dy ndeshjet e muajit shtator që “Dardanët” i zhvillojnë kundër Irlandës së Veriut më 24 shtator në Belfast dhe me Qipron më 27 shtator në Prishtinë.

Për këto dy ndeshje që janë të fundit në Ligën e Kombeve, përzgjedhësi ka ftuar 26 futbollistë, kurse risi është ftesa për tre lojtarë nga Superliga e Kosovës, dy nga Ballkani, Lumbardh Dellova dhe Lindon Emerllahu, dhe një nga skuadra e Llapit, Ilir Krasniqi.

Në përfaqësuese, pas një kohe të gjatë, rikthehet edhe Leart Paqarada, por jo edhe Bernard Berisha. Përzgjedhësi Giresse nuk e ka ftuar as kapitenin e Ballkanit, Armend Thaqi, i cili është duke shkëlqyer edhe në këtë edicion. Ai ka qenë ndër më të mirët për skuadrën kampione në Ligën e Konferencës.

Gazeta e ka kontaktuar ditë më parë Thaqin lidhur me atë se a pret një ftesë nga Përfaqësuesja derisa ai është përgjigjur: “Jam gjithmonë i gatshëm të paraqitem për vendin tim dhe ta jap maksumimin, por për ftesë vendos trajneri”. Në njoftimin e Federatës së Futbollit është bërë me dije se stërvitjen e parë “Dardanët” e zhvillojnë të hënën me fillim nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndërkaq përzgjedhësi Alain Giresse do të paraqitet në konferencë për medie të martën në orën 13:00 në “Hotel Emerald”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjimnazi “Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë ka nisur sot procesin…