Giresse: Jemi të detyruar të bëjmë ndryshime
Trajneri i Përfaqësues së Kosovës në futboll, Alain Giresse ka folur për ndeshjet kundër Irlandës së Veriut dhe Qipros, duke thënë se mënyra e paraqitjes së Kosovës do të varet nga rivalët, por ka thënë se do të jetë i detyruar të bëjë ndryshime për shkak të mungesave.
“Ne do të rreshtohemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, pa dyshim që do të ketë ndryshime nga ndeshjet e kaluara sepse kemi mungesa në ekip”, është shprehur Giresse.
Ai e ka vlerësuar shumë pozitive faktin që Ballkani luan në fazën e grupeve të Ligës së Konference, teksa ka thënë se sukseset e ekipeve kosovare në garat evropiane në vitet e fundit nga Ballkani, Drita e Llapi kanë bërë që në këtë grumbullim të kemi tre lojtarë nga Superliga në ekipin përfaqësues.
Giresse ka thënë se pikërisht nga futbolli kosovar kanë dalë lojtarë si Muriqi, Rashica e Zhegrova.
Paraprakisht, Përfaqësuesja ka mbajtur seancën e radhës stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali, ku njëri grup i lojtarëve ka punuar me intensitet, teksa disa prej lojtarëve që kanë arritur gjatë ditës së djeshme në grumbullim kanë stërvitur të diferencuar, me vrapime të lehta dhe lojë me top pa ngarkesë.