Giroudi ia siguron fitoren Chelseat
Chelsea ka mposhtur 1-0 BATE Borisov duke siguruar kreun e grupit L. Skuadra e Sarri-t ka vuajtur jo pak ndaj bjellorusëve në kushte të vështira, por në fund kanë dalë fitimtarë falë golit të Giroud.
BATE e nisi mirë ndeshjen dhe rrezikoi portën e Chelsea-t që në minutën e 13’. Dimitri Baga lëshon një goditje të fuqishme në hyrje të zonës por fati nuk është me të teksa topi përplaset me shtyllën. Do të kishte qenë një gol spektakolar. Blutë e kanë shumë të vështirë të futen në ndeshje dhe kjo edhe për shkak të motit të ftohtë, me mjegullën që ka pushtuar stadiumin Borisov Arena.
Blutë zotërojnë ndeshjen për sa i përket mbajtjes së topit por tentativat e tyre janë të pasakta. Pas pushimit erdhi goli i avantazhit për miqtë nga Anglia. Emerson kroson një top të bukur nga e majta dhe gjen Olivier Giroud i cili me kokë dërgon topin në rrjetë. Një goditje fantastike e qendërsulmuesit francez, i cili edhe njëherë tjetër vërteton se kur vjen puna për goditjet me kokë është një nga më të mirët në botë. BATE mundohet të reagojë, por ishte sërish shtylla që i mohoi golin Nikolai Signevich. Gjithsesi Chelsea arriti të menaxhonte mirë rezultatin dhe kanë marrë një fitore të vështirë në Bjellorusi, raporton “Telesport”.
Ndërkohë Lazio ka fituar 2-1 ndaj Marseille dhe ka siguruar kualifikimin në fazën e nokautit të Evropa Ligë falë pritjes së Strakoshës në sekondat e fundit të takimit. Ishin Parolo dhe Correa ata që i dhanë fitoren ekipit të Inzaghitt. Sevilla ka shpërdoruar një avantazh të dyfishtë ndaj Krasnodar, por një gol i minutave të fundit të Banega me penallti i ka dhënë fitoren 3-2 spanjollëve dhe kryesimin e grupit J.