Gjakderdhje në hekurudhë

01 shkurt 2023 | 09:17

Izet ABDYLI

Në kujtim të 33-vjetorit të rënies së tre dëshmorëve të demokracisë në Gllogoc

Kronikë e datës 31 janar 1990

Me këtë titull e kisha emërtuar kronikën e datës 31 janar 1990, ku në demonstratat e organizuara në Gllogoc, me moton Liri, Pavarësi e Demokraci u vranë tre të rinj dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Këtë shkrim pastaj e kisha botuar në revistën Bashkimi të fshatit Dobrashec, e cila u dogj me shumë shkrime të tjera në bibliotekën personale më 22 shtator 1998. Do të përpiqem që nga kujtesa ime të rikonstruktoj kronikën e asaj dite.

Në fillim të janarit 1990 revolta gjithëpopullore ndaj regjimit kriminal jugosllav kishte shpërthyer anekënd Kosovës përmes demonstratave e prote­stave paqësore. Edhe Drenica martire kishte ndezur flakadanët e kësaj revolte. Kishte tri ditë rresht që në orët e mbrëmjes qindra të rinj dhe të reja mar­shonin drejt qendrës së Gllogocit me brohoritjet e tyre për liri, pavarësi e demokraci. Lumi i njerëzve nuk kishte të ndalur. Ata zbritnin nga fshatrat e Çiçavicës, të Berishës, të Kosmaqit e të Carralevës e marshonin drejt qendrës komunale të Gllogocit. Tërë ai mllef i mbledhur me vite nga padrejtësitë, dhuna sistematike dhe nga shkelja e të drejtave elementare njerëzore e kombëtare, shpërtheu ditën e mërkure të 31 janarit, ku qytetarë të të gjitha moshave, nxënës, studentë, punëtorë e bujq të bashkuar si kurrë më parë, vërshuan rrugëve të Gllogocit. Ishin ditët kur komunizmi po jepte grahmat e fundit dhe një nga funksionaret e lartë serb kishte zbritur në komunë për t’i bindur struktu­rat politike të kësaj komune të mos dorëzohen. Ky ishte edhe një shkas më shumë që masa të ndizej duke kërkuar largimin e tij të menjëhershëm, për çka regjimit iu dashtë të angazhojë helikopter për ta shpëtuar para se demonstruesit ta nxirrnin dhunshëm nga objekti i komunës. Forcat e mëdha policore po barrikadoheshin në vende kyçe të qytezës duke zënë pozita në gatishmëri sulmi. Ndeshja ishte e pashmangshme. Dy palë gjendeshin ballë për ballë. Njëra me duarthatë me dy gishtërinj e ngritur lart që kërkonte liri, pavarësi e demokraci dhe tjetra e armatosur gjer në dhëmbë, e gatshme për të hapur zjarr e për ta vrarë vullnetin e popullit për liri. Po kalonte mesdita dhe masa po ndizej. Dyluftimi ishte i pashmangshëm. Demonstruesit kishin zënë pozi­cion në vendkalimin e hekurudhës, ndërsa vrastarët pranë trafos elektrike në distancë afër 150 metra. Provokimi i vrastarëve me rafalë të plumbave dum-dum dhe gaz lotsjellës bëri që turma të hedhë bre­shëri gurësh mbi ta. Por, së bashku me gazin lot­sjellës vrastarët zbrazën edhe plumba vdekjeprurës. Së bashku me brohoritjet e demonstruesve për liri u dëgjuan edhe britmat e të rinjve: na vranë, na vranë fashistët.

Dhjetëra të rinj si bari i kositur u shtrinë përgjatë hekurudhës duke skuqur gurët me gjakun e njomë. Në mesin e tyre edhe tri lulëkuqe lirie, tre dësh­morët e parë të demokracisë: Enver Hajriz Morina, Shani Ali Morina nga Çikatova e Vjetër dhe Sahit Shala nga Krajkova. Të plagosurit ashtu si mundën i ndihmuan qytetaret dhe një pjesë e demonstruesve që t’i bartin drejt ambulancës. Turma e ndezur dhe e revoltuar tej mase tashmë kishte mësy ndërtesën e komunës ku helikopteri bënte përpjekjen e fundit për tërheqjen e zyrtarit serb. Breshri plumbash e gaz lotsjellës po derdhej mbi demonstrues të cilët përkohësisht tërhiqen në oborret dhe shtëpitë afër komunës ku vendësit u ofrojnë ujë e qepë demon­struesve. Pas një këndelljeje, demonstruesit sërish dalin në rrugën drejt Feronikelit, por goditen prapë me breshëri nga helikopteri dhe mezi gjejnë shpë­tim, duke u strehuar pranë mureve të drithnikut dhe nën vagon të hekurudhës. Një i ri zbraz disa fishekë nga revolja në drejtim të helikopterit por, pa sukses. Veprimi i tij i egërson më shumë vrastarët të cilët gjuajnë pa kontroll nga helikopteri dhe plum­bat përplasen mbi asfalt. Këtë luftë të pabarabartë do ta ndalë terri i mbrëmjes. Ngadalë, së bashku me terrin e mbrëmjes që po shtrinte pushtetin mbi Gllogoc, demonstruesit filluan të shpërndahen drejt shtëpive të tyre me peshën e dhimbjes e pikëllimit për vrasjen e tre shokëve të tyre dhe për plagosjen e dhjetëra demonstruesve, të bindur se këtij regjimi do t’i vijë fundi dhe drita e lirisë do të vijë patjetër.

Autori ishte pjesëmarrës në këtë demonstratë

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dr. Lirak Karjagdiu (Rreth librit të Prof. Dr. Muhamet Hamitit:…