Gjakova bëhet me parkun solar “Eco Park”
Është inauguruar kompania për energji të pastër “Eko park” në Gjakovë , një ndër kompanitë më të mëdha në rajon për energji solare.
Projekti i investuar nga Fabrika Birra Peja së bashku me kompaninë Solea AG nga Gjermania është vlerësuar lart nga kryetari komunës së Gjakovës Ardian Gjini.
Gjini tha se një park i tillë jo vetëm që është i qëlluar për kompaninë por është i qëlluar për të gjithë, si dhe Kosova do të ketë më shumë energji të pastër.
Ai shpreson që të ketë më shumë investime të tilla.
Nga klubi i prodhuesve të Kosovës Astrit Panxha, tha se ky është një investim jashtë zakonisht i rëndësishëm që e bën Kosovën me parkun më të madh në rajon për energji të pastër.
“Është një investim i qëlluar në Kosovë dhe sot ngjyra e Gjakovës është ngjyra e gjelbër”, tha Panxha.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë në Tiranë, Nikolin Jaka me këtë rast tha se ky investim tashmë është një model në vepër jo në deklarata.
“Të gjithë sipërmarrjet shqiptare të pretendojnë në investime inovative që kërkohen edhe me standarde evropiane”, tha Jaka.
Georg Sterner – Solea AG ka vlerësuar lart këtë projekt për çka tha se Kosova dhe qytetarët e saj meritojnë një energji të pastër që është edhe strategji e BE.