Gjakova do t’i humbasë 2.4 milionë euro nga vendimi për faljen e tatimit
Komuna e Gjakovës do të humbasë 2.4 milionë euro nga vendimi për faljen deri në 100 eurove të para të tatimit në pronë.
Nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos për pezullimin e përkohshëm të këtij ligji, pas kërkesës së Asociacionit të Komunave të Kosovës, në Gjakovë rrezikohen edhe disa projekte që janë duke u zhvilluar dhe ato që janë planifikuar të nisin.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se tashmë me rivlerësim të pronave ka dallime të konsiderueshme në mes të zonave.
Ai ka thënë se disa prej tyre paguajnë tatim më shumë dhe disa zona paguajnë më pak.
Faljen e tatimit, Gjini e ka vlerësuar krejtësisht të gabuar.
“Në Komunën e Gjakovës shembull ta marrim, prej 42 mijë pronave që paguajnë tatim të regjistruara, 32 mijë prona e kanë vlerën tatimore nën 100 euro. D.m.th paguajnë më pak se 100 euro. Diku vetëm dhjetë mijë prona paguajnë më shumë se 100 euro, sado që të jetë ajo vlerë. Çdo të thotë se në bazë të këtyre normave që kanë dalë, 32 mijë pronarë të pronave ju bie mos të paguajnë. Është gabim, është shumë gabim, për shkak se vendosja e kulturës së pagimit tatimit në pronë, fillimisht është jetike për ndërtimin e kulturës shtetërore në Kosovë. Edhe është vendosur në Gjakovë, shumica dërmuese e paguajnë vetë tatimin në pronë. Vlera e cila kish me na lujtë neve është 2.4 milionë euro”, ka thënë Gjini për “Kosovapress”.
Gjini ka vlerësuar se edhe vendimi për rimbursimin e librave nga Ministria e Arsimit ishte i vonshëm dhe do të sjellë probleme në fillim të vitit të ri shkollor.