Gjakova, fituese e turneut “Kupa e Qyteteve”
Ekipi i Gjakovës e ka fituar edicionin e shtatë me radhë të turneut “Kupa e Qyteteve” në futsall, që organizohet tradicionalisht nga Federata e Futbollit e Kosovës, gjegjësisht Komisioni për Futsall, në nderim të heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.
Pas një loje tejet interesante dhe me aksione atraktive, në fund fitores iu gëzua ekipi i Gjakovës, me rezultat 5:4 ndaj Skenderajt. Golat për gjakovarët i shënuan Arbër Dobroshi (3’), Ramadan Alaj (21’, 34’), Nexhip Selimi (23’) dhe Halim Selmanaj (27’), derisa për drenicasit golat i shënuan Florim Thaqi (8’), Erkan Seferi (14’), Blend Balaj (32’) dhe Fatmir Balaj (36’).
Lojtari më i mirë i turneut u shpall Halim Selmanaj, kurse portieri më i mirë u shpall Alfred Prençi. Ndërkaq, trofeu i golashënuesit më të mirë i takoi Arbër Dobroshi.