Gjakova merr mbështetje të fuqishme nga Qeveria
Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, të mërkurën ka pritur në takim tre ministra dhe një zëvendësministër të Qeverisë së Kosovës: Albena Reshitaj, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës, Kujtim Gashi, ministër për Kulturë, Rini, Sport dhe Çështje jo Rezidente, Selami Shkodra, zëvendësministër i Punëve të Brendshme.
Qëllimi i kësaj vizite ishte rikonfirmimi i Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e pa rezervë për projektet e komunës së Gjakovës, me ç’rast edhe u përmendet disa nga projektet më të rëndësishme që tashmë pritet të realizohen me përkrahjen e nivelit qendror.
Gjatë takimit, kryetari Gjini dhe ministri Lekaj nënshkruan memorandumin për përkrahjen e së paku pesë projekteve në komunën e Gjakovës, në vlerë prej rreth 18 milionë euro, mes të cilëve edhe projekti për unazën e qytetit, projekt i cili do të kushtojë 8 milionë euro dhe do të financohet në tërësi nga Qeveria e Kosovës.
Projekte konkrete u diskutuan edhe me ministren Reshitaj, ndërsa prioritet pati projekti për rehabilitimin e lumenjve të Gjakovës, trajtimi i ujërave të zeza dhe vazhdimi i projektit për ujin e pijes në regjionin e Rekës së Keqe.
Në aspektin e sportit, kulturës dhe rinisë, Gjakova do të përfitojë projekte edhe nga MKRS-ja, pasi ministri Gashi ka bërë me dije se kjo ministri do të vazhdojë me projektin e fushave të tenisit në Shkugëz, ndërtimin e stacionit të futbollit me barë sintetik po ashtu në Shkugëz, ndërtimi i qendrës së kulturës në fshatin Rogovë si dhe ndërtimin e kompleksit edukativo – rinor në fshatin Pjetërshan, si njëri prej projekteve rinore me karakter regjional.
Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, pasi e ka mirëpritur këtë gatishmëri të Qeverisë së Kosovës për të investuar në Gjakovë, ka thënë se kjo është një fitore e madhe për Gjakovën dhe banorët e kësaj komune.