Gjakova nuk harron!
Qytetarë të komunitetit serbë kanë kërkuar që edhe sivjet t’u lejohet vizita në kishën e Gjakovës.
Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, i ka bërë thirrje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që t’iu mundësojë serbëve nga Gjakova që këtë vit (më 28 gusht) të vizitojnë kishën.
“Me këtë rast ju lus juve që personalisht të angazhoheni, në mënyrë që serbët nga Gjakova, më 28 gusht, 2018, të mund të vizitojnë kishën dhe shtëpitë e tyre dhe të mos u nënshtrohen poshtërimeve, siç ka ndodhur vitin e kaluar”, ka thënë Kandiq
Por kjo vizitë të qytetarëve serbë nuk po mirëpritet nga shqiptarët në Gjakovë.
“Si qytetar i thjeshtë kërkoj nga institucionet shtetërore të Kosovës të mos e lejojnë provokimin e radhës nga të dyshuarit për krime gjatë luftës ‘98-‘99 në Komunën e Gjakovës. Nesër më datën 28 gusht po kërkohet që t’u lejohet hyrja e tyre në Gjakovë. Gjakova nuk i ka harruar akoma fytyrat e atyre të cilët vranë, përdhunuan dhe lënduan shumicën e popullatës në komunën tonë. Nuk kam asgjë kundër festave dhe ritualeve fetare të fesë ortodokse por jam kundër provokimit të radhës nga ish-kryetari i Gjakovës”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” Ideal Zhaveli, aktivist – qytetar.