Gjakova proteston për Tomor Morinën, kërkohet lirimi i tij
Në Gjakovë sot është mbajtur një protestë, ku është kërkuar lirimi i ish-luftëtarit të UÇK-së, Tomor Morina, i cili është arrestuar javën e shkuar në pikën kufitare Blacë sipas fletëarrestit nga Interpoli.
Familjarë e qytetarë të shumtë kanë kërkuar që institucionet e Kosovës të punojnë më shumë që Maqedonia e Veriut të lirojë sa më shpejt Morinën.
Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, ka bërë të ditur se kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj e ka njoftuar se ka pasur biseda me autoritetet maqedonase dhe i është premtuar se do të jenë të kujdesshëm sa i përket këtij rasti. “ Kryeministri ka marrë premtime se do të jenë tepër të kujdesshëm autoritetet e Maqedonisë, i kanë disa çështje ligjore, por do të jenë të kujdesshëm. Kjo është ajo çka kam biseduar edhe dje edhe sot edhe në ditët e kaluara. Ne derisa ta kemi Tomorin këtu nuk mund të qetësohemi, por unë e kam një bindje që autoritetet e Maqedonisë së Veriut nuk do të bëjnë diçka çka nuk e bënë kurrkush në botë”, ka deklaruar Gjini.
Në emër të familjes së Tomor Morinës, ka folur Gurakuq Dobruna, i cili ka deklaruar se janë më shumë të brengosur sot për Tomorin sesa kur kishte qenë në luftë. “Në emër të familjes së Tomorit jemi të brengosur për fatin e Tomorit, më shumë jemi të brengosur sot se dje kur ishte në luftë, sepse ai që i ka provuar burgjet sllave e kupton më së miri këtë ndjenjë tonën. Tani po flitet shumë se kemi 100 për qind shtet, 100 për qind liri, por liria nuk është e plotë nëse liria e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës nuk është ngritur deri në fund”, është shprehur Dobruna.
Kurse, kryetari i OVL UÇK-së në Gjakovë, Sadri Hoxha, i ka bërë apel ministrisë së Punëve të Jashtme që të merret me këtë rast, në mënyrë që sa më shpejt Tomor Morina t’i kthehet familjes. “Ne sot kemi dal këtu t’i themi jo ekstradimit të Tomor Morinës, jo i kemi thënë Serbisë Ushtria Çlirimtare e Kosovës më 1999 dhe do t’i themi jo gjithë jetën. Ne kemi besim tek institucionet tona që të bëjnë për çdo ushtar, për çdo qytetar. Bëjë apel që ministria e jashtme e Kosovës të merret me këtë çështje, e mos të dalim ne rrugës sikur kemi dal që 20 vite për padrejtësitë që i bënë Serbia.”, ka deklaruar ai.
Shteti i Serbisë i ka dorëzuar kërkesën Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e Tomor Morinës, por vendimin përfundimtar rreth kësaj kërkesë do ta marrë ministri maqedonas i Drejtësisë./ks/