Një muaj paraburgim kundër dy personave për rrahje në Rahovec
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy të pandehurve, Q.I., dhe L.R., nga Gjakova, me dyshimin e bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, nga neni 186 paragraf 1 pika 1.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
“Më 14.09.2019, në vreshtat e ‘Stone Casle’, në Komunën e Rahovecit, të pandehurit Q.I., dhe L.R., me dashje e në bashkëkryerje i shkaktojnë lëndime të rënda trupore, tani të dëmtuarit M.P. Rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje verbale që kishin ku më pas dy të pandehurit e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin duke e goditur disa herë me grushte e shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime në mushkëri dhe në kokë, ku pasi së pari ka filluar të trajtohet në Spitalin Rajonal në Gjakovë, të njëjtit i është keqësuar gjendja shëndetësore dhe me rekomandimin e mjekëve dërgohet në QKUK në Prishtinë, për tretman të mëtutjeshëm”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Prokurori i rastit, ndaj të pandehurve ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe e njëjta masë është pranuar dhe shqiptuar nga Gjykata kompetente.
/Epoka e re/