Gjashtë familje skamnore në Skenderaj do të bëhen me shtëpi të reja
Familja e Rasim Gashit nga Rezalla, Hasan Hajrizi nga Abria, Bekim Ferizi nga Mikushnica, Bekim Selimi nga Kopiliqi i Poshtëm, Ajet Xhemajli nga Kopiliq i Epërm, dhe Xhemë Xhokaj nga Skenderaj, kanë marrë lajmin e mirë se do t’u ndërtohen shtëpitë e reja, falë bashkëpunimit në mes të Komunës së Skenderajt dhe Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”.
Komuna e Skenderajt dhe kjo shoqatë në bashkëfinancim të projektit të përbashkët do t’u bëhet zgjidhje me banim familjeve të cilat jetojnë në kushte shumë të vështira, ku për çdo shtëpi kjo komunë do të participojë me shumën prej 5 000 euro, ndërsa pjesën tjetër do ta mbulojnë “Jetimat e Ballkanit”.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka falënderuar në emër të familjeve përfituese dhe të gjithë qytetarëve dhe komunës, hoxhën Halil Kastratin për këtë bashkëpunim të jashtëzakonshëm, nëpërmjet të cilit po u kthehet buzëqeshja familjeve nevojtare.
/Epoka e re/