Gjashtë fitore rresht për Miamin, Lakersat triumfojnë ndaj Warriors
Miami Heat është një nga skuadrat më në formë për momentin në NBA. Nënkampionët e edicionit të kaluar koleksionuan fitoren e 6-të radhazi pasi mposhtën pa shumë vështirësi në “American Airlines Arena” Atlanta Hawksin me rezultatin 109-99.
Një sukses ky që e ngjiti skuadrën nga Florida në vendin e 7-të në konferencën e Lindjes me 17 fitore dhe 17 humbje. 34 pikë dhe 10 rebounde të Collinsit, por edhe 20 pikë dhe 14 rikuperime poshtë tabelës të Clint Capela nuk i mjaftuan skuadrës nga Georgia, ndërkohë që për Miamin spikati Nunn me 24 pikë, ndërsa Adebayo shtoi 16 të tjera. Rigjen veten Los Angeles Lakers që mori fitoren e 2-të rresht pasi mposhti në Staples Center Golden State Warriorsin me rezultatin 117-91. Falë 19 pikëve të mbretit James, por edhe faktit që plot 6 basketbollistë të Lakersit, përfshirë edhe Lebron dhe gjermanin Denis Schroder, arritën një kuotë pikësh me dy shifra, bënë të mos ndihej mungesa e Anthony Davisit. Kjo ishte fitorja e 24-t sezonale për Lakersin që u ngjitën sërish në vendin e 2-të në Konferencën e Perëndimit duke parakaluar Los Angeles Clippersin.
Vijon momenti pozitiv për Boston Celticsin që mori fitoren e 3-të rresht falë suksesit minimal 111-110 ndaj Washington Wizardsit. Një sukses i arritur në limite nga Celticsi që iu falë edhe formës së mirë të treguar nga dyshja Jason Tatum-Kemba Walker. Washington në krahun tjetër vazhdon të ketë shumë luhatje teksa këtë herë nuk i mjaftuan as plot 70 pikë të realizuara nga dyshja Bradley Beal-Rusell Westbrook. Largimi i James Hardenit për te Brooklyn Netsi në fillim të këtij sezoni, ka lënë një gropë aq të madhe te Houston Rocketsi saqë skuadra teksane po turpërohet gjithnjë e më shumë në këtë sezon të NBA-së.
Humbja e 11-të radhazi e pësuar në Toyota Center me plot 49 pikë disavantazh nga Memphis Grizzlies tregoi se sa dobët është Houstoni në këtë sezon. /Supersport/