Gjashtë institucione do t`i verifikojnë kandidatët për deputetë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se verifikimi dhe certifikimi i kandidatëve për deputetë do bëhet përmes disa filtrave të caktuar, duke kaluar në një varg institucionesh.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se ky institucion do bëjë verifikimin e kandidatëve nëse janë në përputhje me nenin e 29-t të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme. “Me qëllim të zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bashkëpunojë me disa institucione të cilat kanë rolin e tyre gjatë zhvillimit të periudhës së aplikimit/certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Në këtë drejtim, KQZ-ja do të dërgojë kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Ministri të Jashtme dhe Ministri të Mbrojtjes, për verifikim të kandidatëve sipas nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, ka thënë Elezi për “Ekonomia Online”.
Ai ka bërë të ditur se sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-ja, gjashtë institucionet e lartpërmendura duhet të përgjigjen në kërkesën e KQZ-së deri më datë 20 janar.