Gjashtë kryetarët serbë të komunave të jugut nuk japin dorëheqje
28 nëntor 2018
| 10:54
Kryetarët e gjashtë komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilat gjenden në anën jugore të lumit Ibër, përmes një komunikate për medie, të dalë nga Lista Serbe, kanë shprehur mbështetjen për kryetarët e katër komunave veriore, të cilët ditën e martë kanë dhënë dorëheqje.
Në komunikatë thuhet se ata i mbështesin kolegët e tyre në veri, por nuk do të marrin masat e njëjta.
“Ndonëse nuk do të marrim masat e njëjta për shkak të rrethanave të ndryshme në të cilat jetojmë, në mënyrë solidare ne do të luftojmë që të pushojë diskriminimi dhe shkelja e të drejtave të njeriut për popullin tonë për shkak të futjes së taksës prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.