Gjashtë ndeshje moslojë për Lecin, dy për Rusin
Komisioni Disiplinor i shkallës së parë i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka dënuar me gjashtë ndeshje moslojë futbollistin e Dritës, Liridon Lecin.
Dënimi për Lecin ka ardhur pasi ai në përfundim të ndeshjes ndaj Trepçës ’89 e ka ofenduar asistentin Granit Hyseni dhe ka sulmuar lojtarin e ’89-shit, Hasan Hyseni. Me dy ndeshje moslojë është dënuar edhe lojtari i Trepçës ’89, Gëzim Rusi, i cili e goditi lojtarin kundërshtar në ndeshjen Llapi – Trepça ’89. Komisioni Disiplinor e ka dënuar edhe skuadrën e Llapit me 1 000 euro për shkak të shpalosjes së një pankarte me përmbajtje josportive në ndeshjen ndaj Dritës si dhe ndezjen e flakadanëve dhe hedhjen e njërit prej tyre në pjesëfushën e ekipit mysafir dhe ofendimet e orkestruara nga publiku nikoqir drejtuar lojtarëve mysafirë.
Zyrtari i Llapit, Muhamet Rexhepi, është dënuar me 500 euro pas përjashtimit nga bankina, kurse trajnerit të portierëve, Bekim Mulliqit, i është tërhequr vërejta e fundit. Më shumën 1 000 euro është dënuar edhe skuadra e Ballkanit, e cila këtë vendim e mori pasi dy persona para fillimit të ndeshjes Ballkani – Ferizaj e fyen, ofenduan dhe kërcënuan gjyqtarin kryesor Mervan Bejtullahu. Ndërsa drejtori sportiv i kësaj skuadre, Ismail Kosumi, është dënuar me masën disiplinore të qortimit.
/Epoka e re/