Gjashtë ndeshje në Itali luhen pa shikues në fundjavë shkaku i koronavirusit
Gjashtë ndeshje të javës së 26-të të Serie A së Italisë do të luhen pa shikues, përfshirë edhe derbin mes Juventusit e Interit të dielën, raportojnë mediumet italiane të martën.
Ministri i Sportit i Italisë, VIncenzo Spadafora ka konfirmuar se ndeshjet e javës së Serie A në zonat e prekura nga koronavirusi do të luhen pa shikues.
“Masat janë në fuqi, që ndalojnë çdo aktivitet deri të dielën e ardhshme. Fillimisht për Lombardi, Veneto dhe Piedmont. Tash janë zgjeruar edhe në Friuli Venezia Giulia, Emilia Romagna dhe Liguria. Në këto regjione, ndalesa e ngjarjeve sportive mbetet në fuqi. Për disa ngjarje kemi dhënë leje të organizohen me dyer të mbyllura”, ka thënë Sapadafora për “Tg2”.
Ndeshja derbi dhe vendimtare për titull të Italisë mes Juventusit e Interit do të luhet pa shikues.
Së pari Interi do të luajë pa shikues ndeshjen në Ligën e Evropës të enjten kundër klubit bullgar Ludogorets.
Pa shikues në Serie A do të luhen edhe ndeshjet Udinese – Fiorentina, Milan – Genoa, Parma – SPAL, Sassuolo – Brescia e Sampdoria – Verona.