Gjashtë normat olimpike ‘Tokio 2020’
Kur kanë mbetur pak më shumë se dy muaj deri në hapjen e Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, Komiteti Olimpik i Kosovës ka të siguruara gjashtë norma olimpike, shkruan Komiteti Olimpik i Kosovës.
Pesë norma janë nga sporti i xhudos dhe një nga mundja. Xhudistët, të prirë nga kampionia olimpike Majlinda Kelmendi (-52 kg), pastaj Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova, me pikët e fituara, kanë të siguruara normat dhe vetëm pritet konfirmimi zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.
Normën e ka edhe mundësi Egzon Shala, kategoria deri në 125 kilogramë. Pritjet e presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, për të fituar normën olimpike janë edhe nga sporti i karatesë, boksit e notit, ku muaji qershor pritet të jetë përcaktues.
KOK-u i ka të siguruara edhe tri ftesa të univerzalitetit, me ç’rast dy do të jenë për notin dhe një për atletikën. Gjasat për një ftesë janë edhe nga Komisioni trepalësh në përbërje: Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON/IOC), Asociacioni i Komiteteve Olimpike Kombëtare (ANOC), Asociacioni i Federatave Ndërkombëtare të Sporteve Verore (ASOIF).
Lojërat e shtyra olimpike “Tokio 2020” për shkak të pandemisë COVID-19 mbahen prej 23 korrik – 8 gusht 2021 në Tokio të Japonisë.
Gjashtë normat olimpike Tokio 2020:
Majlinda Kelmendi (xhudo)
Distria Krasniqi (xhudo)
Nora Gjakova (xhudo)
Loriana Kuka (xhudo)
Akil Gjakova (xhudo)
Egzon Shala (mundje)
Tri ftesa të univerzalitetit:
2 – not
1 – atletikë