Gjashtë raste të reja me Covid-19, shërohen edhe pesë pacientë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se të martën janë diagnostikuar gjashtë raste me Covid-19.
“Sot më 21 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 191 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej gjashtë (6) raste”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Rastet pozitive janë raste kontakti, dy raste me vendbanim në Prizren, dy raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe dy raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: një rast Pejë dhe një rast në Llugaxhi.
Sipas IKSHPK-së, më 21 prill nga Klinika Infektive është raportuar një rast i vdekjes, e gjinisë femër me moshë 40-vjeçare me vendbanim në Gjakovë dhe e konfirmuar me Covid-19 më 15.04.2020.
“Pacientja është hospitalizuar në Klinikën Infektive dhe trajtuar në Mjekimin Intenziv me Dg.COVID-19, Graviditas hbd 28. Komuna e Zveçanit dhe Leposaviqit kanë raportuar nga një (1) rast të vdekjes. Sot më 21 prill 2020, janë shëruar edhe pesë (5) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e njëzet e tetë (128) raste”, thuhet në njoftimin për media.
Nga data 8 shkurt deri më 21 prill janë testuar gjithsej 5.200 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 604 raste, ndërsa 18 raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
/Epoka e re/