Gjashtë të vdekur nga një sulm me bombë në Afganistan
Nga një sulm me bombë në veri të Afganistanit janë vrarë gjashtë civilë, në mesin e të cilëve katër fëmijë.
Ata janë vrarë kur një bombë shpërtheu afër mjetit transportues me të cilin po udhëtonin.
Zëdhënësi i provincës së Kandaharit, Qasim Afghan, ka thënë se shpërthimi ka ndodhur në rajonin Dand, dhe të gjithë udhëtarët që ndodheshin në mjetin transportues e humbën jetën.
Më pas është njoftuar se të gjitha viktimat i përkisnin të njëjtës familje, raporton “Rel”.
Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, megjithatë guvernatori i rajonit Dand, Haji Abdullah, ka thënë se mjeti shpërthyes është vendosur nga talibanët, në një rrugë e cila shumë shpesh përdoret nga ana e forcave afgane të sigurisë.
Misioni për Asistencë i Kombeve të Bashkuara në Afganistan u ka bërë thirrje të gjitha palëve në konflikt që të dalin në mbrojtje të civilëve.
Talibanët kanë vazhduar sulmet kundër trupave afgane dhe atyre huaja, pavarësisht mbajtjes së disa raundeve të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara në Katar, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje e cila do t’i jepte fund luftës në Afganistan.
Palët kanë bërë përparim, por nuk kanë arritur një marrëveshje për përfundimin e luftës 17-vjeçare.