Gjashtë të vdekur nga një sulm vetëvrasës në një restorant në Kongo
Një sulm vetëvrasës goditi një restorant në qytetin lindor Beni të Republikës Demokratike të Kongos të shtunën, duke vrarë të paktën pesë persona si dhe veten e tij, thanë zyrtarët.
Shpërthimi ndodhi në lokalin INBOX ku njerëzit po festonin Krishtlindjet, sipas një zyrtari të sigurisë në Beni.
Sulmi shënon dhunën e fundit në një rajon ku forcat kongoleze dhe ugande kanë nisur një fushatë kundër islamistëve të dyshuar.
“Vetëvrasësi, i penguar nga rojet e sigurisë për të hyrë në një lokal të mbushur me njerëz, aktivizoi bombën në hyrje të lokalit,” ka thënë në një deklaratë zëdhënësi i guvernatorit rajonal, gjenerali Ekenge Sylvain.
Gjashtë persona vdiqën në shpërthim dhe 14 u plagosën, duke përfshirë dy zyrtarë lokalë, shtoi ai, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
Dy gra dhe një vajzë adoleshente ishin në mesin e të vrarëve, tha zyrtari i sigurisë.
Sylvain tha se kryengritësit nga Forcat Aleate Demokratike (ADF), një grup i rreshtuar me Shtetin Islamik, kishin aktivizuar një “celulë gjumi” në Beni për të synuar qytetarët, por ai nuk dha prova që i lidhnin ata me shpërthimin.
ADF nuk mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin.