Gjashtë të vdekur nga stuhi dhe tornado në ShBA
Moti i keq ka përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Raportohet se 6 persona kanë ndërruar jetë pasi tornadot dhe stuhitë e forta goditën disa pjesë të Tenesit të shtunën. Ndërtesat u shndërruan në rrënoja dhe komunitetet mbetën në errësirë kur moti ekstrem goditi pjesë të shtetit jugor të ShBA.
Tre nga rastet tragjike u raportuan në një periferi veriore të Nashville. Sipas BBC, dy të rritur dhe një fëmijë humbën jetën qytetin e Clarksville, rreth 50 milje (80.4 km) në veri-perëndim të zonës.
Kryetari i bashkisë së qytetit, Joe Pitts, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, duke përfshirë një shtetrrethim në orën 21:00, i cili do të vazhdojë edhe të dielën.
“Ky është një lajm shkatërrues dhe zemrat tona janë thyer për familjet e atyre që humbën të dashurit”, tha ai duke shtuar “Qyteti është i gatshëm t’i ndihmojë ata në kohën e tyre të pikëllimit”.
Sakaq, 23 persona të tjerë në zonën përreth janë shtruar në spital, thanë autoritetet.
Pothuajse 60,000 njerëz mbetën pa energji elektrike, sipas poweroutage.us.
Videot e postuara në mediat sociale treguan makina të përmbysura dhe pemë të shkulura dhe pjesë banesash, të cilat janë shkatërruar si pasojë e stuhive. Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi paralajmërime të shumta për tornado në Tenesi.