Gjashtë vjet nga vdekja e Adem Demaçit, e njeriut të kauzës kombëtare
Sot bëhen gjashtë vjet që kur Adem Demaçi ka vdekur.
Veprimtarit të çështjes kombëtare, frymëmarrja iu ndal në moshën 82-vjeçare.
Ai lindi më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa me prejardhje është nga Lupqi i Podujevës.
Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.
Për angazhimin e tij politik, ai vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë.
Pasi u lirua Demaçi menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.
Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990-1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.
Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombit shqiptar, mbi pesë dekada.
Ai me jetën dhe veprën e tij, u shndërrua në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia kombëtare.
Demaçi ka shkruar romanin “Gjarpinjtë e Gjakut”, i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta.
Pasditen e 26 korrikut 2018, Demaçi ndërroi jetë. Në nderim të tij u organizuan shumë aktivitete shtetërore dhe u mbajtën tri ditë zie në Kosovë.