Gjashtëfishimi i subvencioneve për ndërmarrjet, Hoti: Po përdorën për largimin e punëtorëve nga puna
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka publikuar një statistikë të gjashtëmujorit të parë të këtij viti, që reflekton rritje të subvencioneve për ndërmarrjet publike gjashtë herë më shumë sesa viti i kaluar.
Hoti këtë statistikë në formë infografike e ka publikuar në llogarinë e vet në “Facebook”, ku sipas saj, vlera e subvencioneve në ndërmarrje publike në gjashtëmujorin e parë ka shkuar në 12.39 milionë euro.
“Çudi me këtë qeveri. E ka ndaluar ‘gjakderdhjen financiare’ të ndërmarrjeve publike, por për periudhën janar-qershor 2022, i ka rritur për gjashtë herë subvencionet nga buxheti për këto ndërmarrje, nga 1.92 milion euro më 2021, në 12.39 milionë euro sivjet”, ka shkruar Hoti.
Më tutje, Hoti ka thënë se subvencione janë duke u përdorur nga qeveria për largim të punëtorëve nga puna.
“Me gjasë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve po shkojnë për të larguar punëtorë nga puna në Telekom përmes skemës së pensionimit të parakohshëm, duke ua paguar përnjëherë 24 paga mujore atyre që lëshojnë punën. Fatkeqësisht, kjo skemë po rezulton me ikje të kuadrove më të mira nga Telekomi, pasi kuadrot më të mira kanë më shumë alternativa në treg. E vërteta është, fatkeqësisht, se taksat e qytetarëve po përdoren për të larguar punëtorë nga puna. Duket se ‘gjakderdhja financiare’ – ky term morbid që u fut në diskursin politik – po i ndodh buxhetit të shtetit me vendime qeveritare. Duke qenë se Telekomit po i ikin kuadrot, detyrimisht do të detyrohet të rekrutojë punëtorë së shpejti. A nënkupton kjo se po largohen punëtorët ekzistues për tu zëvendësuar me të tjerë nga partia në pushtet?! Çfarë politike e mbrapshtë është kjo?!”, ka shkruar Hoti.