Gjasula largohet nga Paderborni
Pas 2 sezonesh Klaus Gjasula mbyll aventurën me Paderborn. Mesfushori i kombëtares shqiptare i ka dhënë lamtumirën klubit që i dha mundësinë për të debutuar në Bundesliga në moshën 29-vjeçare.
Pas rrëzimit të Paderborn në Bundesligën e dytë, mesfushori ka vendosur ta vazhdojë karrierën diku tjetër, pasi ofertat për të nuk mungojnë. Gjasula ishte një nga më të mirët për Paderborn në këtë sezon, teksa u aktivizua në 29 takime duke shënuar dhe 2 gola. Ai njihet për grintën e tij dhe shpirtin luftarak dhe për këtë arsye theu edhe një rekord negativ pasi u bë lojtari më i ndëshkuar në historinë e Bundesligas me 17 kartona të verdhë të marrë në vetëm një sezon.
Largimin nga Paderborn Gjasula e konfirmoi me një postim në faqen e tij zyrtare në Instagram ku falenderon, klubin, drejtuesit dhe shokët e skuadrës.
“Erdhi koha për t’ju thënë faleminderit, faleminderit për dy vite të pabesueshëm! Faleminderit që isha pjesë e këtij klubi dhe kësaj skuadre! Faleminderit që bëmë historinë! Faleminderit për të gjitha momentet e bukura dhe jo të bukura, sepse ne na duhen të dyja anët për të ecur para në jetë. Ka qenë gjithmonë një nder të luftoja krah jush! Do të kisha dashur të them lamtumirë ndryshe, por për fat të keq nuk mund të ndryshohet. Sinqerisht, ju uroj më të mirat në rrugën përpara jush. Shihemi së shpejti”, shkruan 30-vjeçari në llogarinë e tij në rrjetet sociale.