Gjasula preferon kalimin në Premier Ligë
Klaus Gjasula ishte një nga zbulimet më të mëdha në eliminatorët e fundit të Europianit. Aktualisht ai është pjesë e Paderbornit në Bundesligën e dytë gjermane, teksa sot foli një lidhje direkte me emisionin “FanZone” në Supersport, ku zbuloi dhe ditët e tij në izolim.
“Sot filluam stërvitjen e parë në fushë, me një grup me nga 6 lojtarë. Të distancuar nga njëri-tjetri dhe kryejmë ushtrimet. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë dhe shumë shpejt të zbresim në fushë për ndeshjet e mbetura të kampionatit.
Babi ka qenë një tifoz i madh me Tiranën, deri tani nuk mund t’ia plotësoj ëndrrën, por nuk i dihet në të ardhmen. Të luash në Bundesligë ka qenë një ëndërr për mua që i vogël. Është diçka shumë e bukur, që edhe lojtarët që vijnë nga një kategori më poshtë mund t’ia dalë edhe në Bundesligë.
Klaus Gjasula te Dortmundi? Unë jam realist dhe është e vështirë që të luaj për Dortmundin në sezonin e ardhshëm. Do ishte bukur të luaja për Hertan e Berlinin, por nuk e di se çfarë do ndodhë në të ardhmen.
Me stilin që kam, e shikoj më shumë veten në Angli sesa në Gjermani. Nëse do ndodhte të kaloja aty është shumë bukur, do të ishte shumë bukur, më pëlqen shumë të luaj aty.
Kombëtarja Shqiptare? Në vitet e fundit Kombëtarja ka ndryshuar stil dhe fytyrë. Ka shumë lojtarë të mirë dhe me talent. Besoj se tashmë mund të fitojmë edhe me ekipet e mëdha, që tani duhet të na shikojnë ndryshe.