Gjatë kësaj jave, 101 aksidente në komunikacion
Temperaturat e ulëta që mbretëruan në vendin tonë dhe reshjet e vazhdueshme të borës gjatë kësaj jave nuk kanë ndikuar në rritjen e aksidenteve në komunikacion.
Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Policisë së Kosovë, Daut Hoxha, i cili ka bërë të ditur se që nga dita e hënë e deri dje janë regjistruar gjithsej 101 aksidente në gjithë territorin e Kosovës.
Sipas Hoxhës, edhe pse ka pasur të reshura të vazhdueshme të borës, numri i aksidenteve rrugore ka shënuar rënie.
“Përkundër ndryshimeve atmosferike që kemi pasur ditëve të fundit dhe të reshurave të borës numri i aksidenteve është raportuar të jetë në një trend të njëjtë, nuk kemi pasur rritje të aksidenteve. Referuar statistikave dje gjatë 24 orëve i kemi pasur 29 aksidente në total, pardje i kemi pasur 23 dhe në ditën tjetër i kemi pasur 49. Pra nuk kemi një numër në rritje, por kemi një numër në rënie”, ka thënë ai.
Ai po ashtu bëri të ditur se në të gjitha aksidentet janë shënuar vetëm dëme materiale dhe lëndime trupore.
“Fatbardhësisht gjatë këtyre ditëve kur kemi ndryshime atmosferike nuk ka pasur asnjë rast të regjistruar me fatalitet dhe të gjitha aksidentet ka qenë me dëme materiale apo me lëndime trupor, por me fatalitet nuk ka pasur asnjë rast”, deklaroi ai.
Policia e Kosovës, me qëllim të reduktimit të aksidenteve në trafikun rrugor, ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre.
Argjend Zejnaj, shef i kabinetit të Ministrisë së Infrastrukturës ka deklaruar se të gjitha rrugët që janë në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës janë të kalueshme.
“Kemi qenë në gjendje gatishmërie, kemi intervenuar nëpërmjet kompanive tona të mirëmbajtjes dhe menaxherëve rajonal dhe përgjithësisht të gjitha rrugët janë të kalueshme, të gjitha rrugët magjistrale rajonale, nacionale që i menaxhon ministria e Infrastrukturës janë të kalueshme. Sot kemi ndërhyrë në shiritin emergjent. Nuk po bëhet fjalë vetëm për dy shiritat që janë jetik për qarkullim, por i kemi pastruar të gjitha rrugët në Kosovë“, ka thënë ai.
Zejnaj po ashtu bëri të ditur se Ministria e Infrastrukturës u ka ofruar bashkëpunim të gjitha komunave të Kosovës për hapjen e rrugëve.
“Kemi ofruar bashkëpunim komunave që rrugët të cilat janë në menaxhimin e tyre, nëse kanë nevojë dhe nuk kanë mundësi të ndërhyjnë në to, ne me iu ofrua bashkëpunimin tonë“, tha ai.
Ndryshe, referuar statistikave të Policisë së Kosovës në muajin janarit të këtij viti gjithsej janë regjistruar 1278, ku si pasojë kanë humbur jetën 6 persona, kurse janë shqiptuar gjithsej 30397 tiketa. ( KosovaPress)