Gjatë kohës së pandemisë në Kosovë janë ngritur 924 aktakuza
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë kohës së pandemisë, konkretisht prej 13 marsit deri më 31 maj 2020, prokuroritë themelore dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kanë ngritur 924 aktakuza, kundër 1160 personave, për vepra të ndryshme penale.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe kohore me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar 716 persona, të cilët dyshohet se kanë kryer vepra të ndryshme penale, raporton “Epoka e re”.
Gjithashtu, Prokurori i Shtetit ka njoftuar opinionin se prej 13 marsit deri më 31 maj 2020, janë bërë 260 kërkesa për caktimin e paraburgimit të 316 personave, për shkak të dyshimit se kanë kryer vepra të ndryshme penale.
Gjatë kësaj periudhe kohore, prokuroritë themelore dhe Prokuroria Speciale, kanë bërë 69 kërkesa për sekuestrim të përkohshëm.
Ndërsa Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, gjatë kësaj periudhe kohore ka bërë pesë kërkesa për arrestim, përfshirë ato ndërkombëtare.