Gjatë pandemisë Kosova u përball edhe me lajme të rreme
Demokraci Plus (D+) ka publikuar raportin e shkurtër “Lajmet e rreme gjatë pandemisë Covid-19 dhe ndikimi i tyre”.
Që nga shfaqja e rasteve të para me Covid-19 e deri më tani, në të gjitha vendet, përveç sfidës së ballafaqimit me këtë infeksion shqetësim mbetet edhe ballafaqimi me lajmet e rreme rreth kësaj pandemie.
Sipas Demokraci Plus, nga këto lajme nuk ka mbetur pa u prekur as Kosova.
“Lajmet e rreme kanë filluar të përhapen që nga fillimi i pandemisë duke shpikur ‘mite’ rreth prejardhjes së pandemisë Covid-19, si të mbrohemi nga infektimi e deri te efektet anësore të vaksinës. Përveç komenteve në rrjetin social ‘Facebook’ janë formuar grupe anti-vaksinë të cilët bëjnë thirrje për mosvaksinim. Një prej këtyre grupeve quhet ‘diskutime rreth vaksinës’, shumica e profileve në këtë grup janë të rreme dhe nuk dihet qartë kush qëndron prapa tyre. Përveç formimit të grupeve, në Kosovë tendencë për përhapje të dezinformatave kanë edhe mediat online, ku sipas një hulumtimi nga NDI, që nga marsi i vitit 2020 deri në shkurt të vitit 2021, 3,613 postime në mediat online kanë përmbajtje me informacione të çrregullta”, është thënë në raportin e Demokraci Plus.
Sipas këtij raporti, pasojat që sjellin këto lajme të rreme mund të jenë: Shkaktimi i ankthit dhe stresit duke i vënë në mëdyshje për imunizim, e deri te bojkotimi total i vaksinës anti-Covid, e që si rrjedhojë ka shpërndarjen e virusit dhe, shfaqjen gjithnjë e më shumë të varianteve të reja.
Disa nga rekomandimet e Demokraci Plus (D+) për reduktimin e përhapjes së lajmeve të rreme janë:
Ministria e Shëndetësisë duhet që në bashkëpunim me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, me mbështetjen e agjencive donatore, të dizajnojnë një fushatë komunikimi ku ndikimi i dezinformatave dhe lajmet e rreme në pandeminë Covid-19 të jenë në fokus të fushatës; Fushata duhet të jetë e targetuar, për shembull, të synojë të rinjtë, ose mediat, rajonin e caktuar, grupmoshën e caktuar dhe të japë mesazhet në përputhje me rrethanat; Ministria e Shëndetësisë, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Policia e Kosovës duhet të bashkëpunojnë ngushtë në identifikimin e lajmeve të rreme duke përfshirë burimet e lajmeve të rreme dhe të koordinojnë luftën kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave; dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës duhet të punojë vazhdimisht me mediat online për të parandaluar publikimin e dezinformatave dhe lajmeve të rreme nga artikujt e përkthyer nga mediat ndërkombëtare. “Edukimi dhe trajnimi online për lajmet e rreme duhet të vihen në dispozicion të qytetarëve. Një shembull i mirë mund të jetë platforma e D+ për lajmet e rreme për të mësuar më shumë rreth dallimit midis lajmeve të vërteta dhe të rreme”, thuhet në raportin Demokraci Plus.