Gjejeni, blijeni dhe lexojeni…
Irena Gjoni
Në numrin e tretë të revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”, që botohet në Prishtinë, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, është botuar një cikël imi poetik “Ishujt kurrë nuk flasin për dhimbjen e ujit”.
Duke e parë se si “rritet” nga numri në numër kjo revistë periodike që del një herë në katër muaj, ndihem mirë me veten që kam besuar bindshëm që në numrin e parë te ky projekt ambicioz i Berat Dakajt dhe bashkëpunëtorëve të tij. Vetëm në tre numra dhe shpejt kjo revistë, me skrupulozitetin në përzgjedhjen e materialeve e autorëve, po kthehet në synim për shumë autorë të tjerë që duan të konfirmohen si të tillë.
“Akademia” nuk është tashmë vetëm një botim cilësor, i garantuar nga shkrimet dinjitoze të autorëve të të gjitha fushave që përfshin, duke na dhënë kënaqësi estetike. “Akademia” këtë numër fiton një vlerë të madhe njerëzore, çka mungon sot në shoqërinë tonë. Falë idesë dhe nismës humane të botuesit, kjo revistë këtë numër është kushtuese dhe humane si një dedikim për gratë e prekura nga kanceri i gjirit. Kjo jo vetëm nga skulptura e Agim Islamajt bërë për to, që është vendosur në ballinë të revistës, por edhe nga ndihma konkrete materiale ku 30 % e të ardhurave nga shitja e të tre numrave, do të shkojë për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.
Më shumë se sa vlera monetare është simbolika e asaj që përcillet, ku çdokush në mënyrën e vet duhet të bëjë diçka për këto çështje kaq të ndjeshme.
Ndaj si për çdo numër, vlen shprehja e kthyer në rituale: “Gjejeni, blijeni dhe lexojeni ‘Akademinë’”.