GJEJENI, BLIJENI DHE LEXOJENI “AKADEMINË”

20 dhjetor 2017 | 11:18

Berat Armagedoni

 Të dashur dashamirës,

Shtëpia jonë botuese “Armagedoni”, të cilën e udhëheq unë, Berat Armagedoni, idenë për botimin e kësaj reviste që e botuam tash, po me këtë titull, “Akademia”, e kishte para dhjetë vjetësh. Atë e kisha unë. Dhe, në asnjë vit, prej ardhjes së idesë e deri në realizimin e tashëm, nuk kam pasur drojë se emrin e saj do ta marrë dikush sepse, atyre që u thosha për botimin e saj, sa frikësoheshin e rrëqetheshin prej emrit serioz të saj, po aq nuk shprehnin gatishmëri për të më përkrahur financiarisht për botimin e saj, edhe pse parave dhe pasurisë që kishin dhe që kanë, nuk ua dinin, ashtu siç nuk ua dinë as sot, skajin. Të njëjtit shpenzojnë për blerje dhe për mirëmbajtje të veturave luksoze, për rroba të shtrenjta, për ushqime dhe për pije, po ashtu, të shtrenjta. Për kulturë dhe gjuhë e media, asnjë metelik, këta armiq të tyre, këta “armiq” tanë, s’e japin se s’e japin. Për shërim të sëmundjes, edhe truallin e luajnë vendit. E ju tash sigurisht po e pyesni veten për mua, se pse më duhej përkrahja dhe pse u kërkoja atyre përkrahje. Dhe, po ashtu, pse duhej të më përkrahnin. E unë ju them se, po qe se e lexoni tekstin deri në fund, e merrni edhe përgjigjen e saktë.

E di se ata miq kujtonin, siç mund të kujtojnë sot edhe më pak sesa që kisha vite më parë, se ky titull i revistës është i ndaluar për përdorim nga të tjerët dhe se është i rezervuar vetëm për dy akademitë shqiptare: për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Botimi i kësaj reviste për kulturë, gjuhë, media, ua kujton atyre tash këmbënguljen time të atëhershme, diskutimet që kishim për realizimin e saj, për shtypjen fizike dhe, pastaj, për ngarkimin e saj në internet, për t’ua ofruar për lexim online atyre lexuesve që s’i lëshojnë nga duart celularët, aipedët, llaptopët, as atyre që kohë të gjatë nuk e heqin shikimin nga kompjuterët dhe që janë bërë robër të pajisjeve të teknologjisë informative dhe argëtuese, e cila u ndihmon shumë t’i shpenzojnë sytë më shpejt, ta shtojnë agresivitetin në kokë më shumë dhe të njëjtën ta shfaqin, pa keqardhje, në shoqëri dhe, më tutje, të shkujdesen për jetën gjatë gjithë jetës.

Ritheksoj prapë, ata miq, që kishin dhe kanë shumë para, nuk më ofronin përkrahje financiare për, së paku, botimin e një numri të kësaj reviste. I konsideronin të parëndësishme kulturën, gjuhën, mediat, veçanërisht median dhe mediumin fizik. Thoshin se s’ke pse e bën këtë punë. Madje-madje, s’ke as për kënd e bën, se njerëzit sot duan të bëjnë politikë e jo kulturë, se s’ke nevojë të shpenzosh para për letër dhe për të panjohur, kur e gjithë shoqëria e sotme është shoqëri interesi dhe, sipas bindjes së tyre, e sëmurë.

Duke pasur këtë bindje të mbrapshtë për një pjesë të shoqërisë së shëndoshë, më sugjeronin, sa herë që takoheshim e ua përmendja këtë revistë se, “nëse dëshiron të bësh diçka të mirë, bëje një media online”, pa u shkuar mendja atyre se media online nuk është institucion i kulturës, i gjuhës, i medias, i trashëgimisë kulturore të vendit dhe e Kosovës, se nuk është punë e mirë themelimi i saj. S’i shkonte asnjërit mendja se kjo media e shpejtë shlyen kujtesën për punët tona të para dhe të të parëve tanë, shumë shpejt. Po ashtu, s’u shkonte mendja se s’do t’i mbajë kush mend sukseset e tyre, sepse s’do të ketë kush t’ua tregojë, sepse asnjë media online e vonshme me dije artificiale s’do të kujdeset për hershmërinë e tyre. Qe pse.

Meqë punoj në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në të cilën deponohen libra për çdo ditë me qese dhe me paketa nga njerëz të ndryshëm, u tregoja për gjendjen e sotme të librit dhe të gazetave që futen aty. Aty autorët ose botuesit sjellin ekzemplarët e detyrueshëm të librave fizikë, por jo edhe botuesit gazetat. Për këto të fundit, është një djalë, një punonjës biblioteke që quhet Habib, i cili, për çdo ditë, në dy kioska në Prishtinë, nga ato që i ka më afër bibliotekës, por edhe nëpër redaksi të gazetave, mbledh nga pesë ekzemplarë të “Epokës së re”, të “Kohës ditore”, të “Zërit”, të “Botës sot”, “Kosovës sot” dhe i sjell në bibliotekë për shërbim të studentëve dhe për t’i arkivuar e deponuar të tjerët punonjës ndërkohë në depot e bibliotekës. Sa herë që shkon t’i mbledhë gazetat, Habibi pret t’i thotë dikush në dyert e redaksive të gazetave ose shitësit e tyre në kioska, se shtypit të gazetës ia kemi dhënë dhe vënë drynin. Pret, për çdo ditë, t’i pakësohet puna. Pret t’i pakësohen metrat që bënë këmbë nga njëra redaksi në tjetrën, nga njëra kioskë në tjetrën, në çdo stinë të vitit, në çfarëdo moti. Pret t’i thonë, sepse i kanë thënë kështu ata që i botonin gazetën “Express”, “Infopress”, “Lajm”, pastaj edhe të tjerët që i botonin “Iliria Postin”, “Prishtina Timesin”,Tribunën”, “Prishtina Insightin”,Nacionalin”, “24 orë” e shumë e shumë të tjera që kanë qenë e që më nuk janë e as nuk lexohen për çdo ditë nga lexuesit brenda Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, e cila ruan dhe mbron, pushtetin e katërt brenda mureve të veta.

I kanë thënë, po kështu si Habibit, edhe një punonjësi tjetër të Bibliotekës, Fadilit, i cili, kohë më moti, bënte të njëjtën punë, mblidhte nëpër kioska dhe redaksi “Rilindjen”, “Bujkun”, “Zërin e rinisë” e disa të tjera që kanë ndaluar botimin qëmoti. (Janë mbyllur sepse s’kanë mundur t’i mbulojnë shpenzimet, sepse shtypi i përditshëm kushton shtrenjtë. Me një fjalë, të hanë të gjallë pak e nga pak. Kush ka qenë botues gazete di të tregojë pse e ka ndalur shtypin e saj).

Disa prej këtyre mediave, ato sipër këtyre të fundit, e kanë ndaluar daljen fizike, por e kanë vazhduar atë elektronike. Por, këto media online, fatkeqësisht, nuk i shërbejnë ruajtjes së kujtesës kombëtare. Me pak fjalë, kanë vlerë të përkohshme dhe të vogël. Tregojnë çfarë ka ndodhur sot, por jo çfarë pat ndodhur para pesë ose dhjetë vjetësh. Ani pse kanë një tru të madh e të shpejtë e funksional vetëm kur ka energji elektrike dhe qasje në internet, këtyre pajisjeve mund t’u shlyhet kujtesa shumë shpejt. Të harrojnë gjithçka. Gjithë kulturën tonë. Gjithë gjuhën tonë. Gjithë punën e mediave të mëparshme. Prandaj, ky medium rrezikon të kaluarën tonë dhe ne rrezikojmë punën tonë nëpërmjet tij, publikimit të teksteve tona në të, për ngjarje të rëndësishme kombëtare, sociale, kulturore, gjuhësore e çfarë jo tjetër. Po kështu, rrezikon të shuhet i gjithë shtypi ditor sepse nuk kujdesen për të lexuesit (që nuk e blejnë gazetën); nuk kujdesen për të menaxherët e kafeterive, të restoranteve e të lokaleve të ndryshme që i ushqejnë dhe i argëtojnë njerëzit me muzikë e nuk e mbajnë një gazetë mbi tavolinë; nuk kujdesen për të bizneset që prodhimet dhe ofertat e veta nuk i publikojnë edhe në shtypin fizik; nuk kujdeset për të as shteti siç kujdeset për Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe për teatrot nëpër qytete të Kosovës, e për Qendrën Kinematografike të Kosovës, për Galerinë Kombëtare të Kosovës, për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve dhe për ansamble të tjera, për institucionet e Kosovës që ruajnë dhe mbrojnë trashëgiminë e Kosovës e që, asnjëri prej këtyre, nuk i sjellin fitim buxhetit të shtetit por, po secili prej tyre, e varfërojnë. Megjithatë, ashtu si janë dhe kështu, me shpenzime të mëdha e me numër të madh të punonjësve, mbahen gjallë nga të hyrat e tjera që sigurohen nëpërmjet institucioneve të tjera. Kësi kujdesi dhe mbështetje financiare shteti duhet të ketë dhe të japë edhe për median fizike, siç jep Ministria e Kulturës për libra dhe për revista një herë në vit, po qe se dëshiron ta ruajë të kaluarën e vet për brezat e ardhshëm.

Së këndejmi, kisha dhe kam disa miq të tjerë që, kur bisedojmë për kulturë, gjuhë dhe media, më thonë se shkruajnë vazhdimisht për kulturë, për gjuhë, për media, për sociologji, për filozofi, për shkencë, për libra të mirë dhe për të këqij, por më ankohen se nuk po kanë ku t’i botojnë opinionet, analizat, vështrimet dhe studimet e gjata. Më ankohen se gazetat e përditshme nuk po ua publikojnë përnjëherësh, se po ua botojnë në katër-pesë vazhdime, kurse se, në mediat online, po bëri e i publikuan, nuk i lexon kush gjithë ato që i shkruajnë e i publikojnë, nga 50 000 – 60 000 karaktere përnjëherësh e më shumë. Madje se, sipas tyre, kur i dërgojnë për botim, të paktat redaksi ua botojnë aq gjatë. Edhe kanë drojë se, disa shkrime që i kanë publikuar në disa media, nuk i kanë gjetur më, kur i kanë kërkuar kohë më vonë. Më arsyetohen se e kanë ruajtur vegëzën e tyre, por tashmë e kanë të pavlerë dhe të paqasshme në internet. Megjithatë, duhet ta kenë parasysh të dyja palët, autorët dhe botuesit, se ata që duan të lexojnë, që janë dashamirës të shkrimeve sikurse jeni ju, lexojnë edhe kur shkruhet shkurt, edhe kur shkruhet gjatë, pa marrë parasysh a është ai medium fizik apo elektronik. Dhe, ajo çfarë duhej të bëhej edhe për këta që thonë se dinë të shkruajnë, që thonë se, po patën ku t’i publikojnë shkrimet, shkruajnë me qejf, nisi të bëhet kështu me të tjerë njerëz, me botimin e kësaj reviste për tri fushëveprimtari të mëdha e të rëndësishme, për të cilën, së pari, mirëkuptim dhe përkrahje i kërkova familjes sime të ngushtë (gruas dhe vajzës), pastaj asaj pak më të gjerë (babait, nënës, motrave dhe vëllait). Thjesht, kërkova nga ta të mos presin hëpërhë para nga unë, të paktën derisa njerëzit përnjëmend ta kthejnë jo vetëm kokën, por gjithë vëmendjen kah kultura, kah gjuha, kah mediat dhe mediumet e shtypura; kah një revistë që, me synimet që ka sot redaksia e “Akademisë”, në një të ardhme jo shumë të largët mund të transformohet në një medium më të madh, edhe në një objekt, po ashtu, me hapësirë më të madhe, në të cilin mund të merret dhe të jepet dije tjetër dhe më e rëndësishme dhe më e favorshme sesa këtu, nga njerëz që s’dinë vetëm të shkruajnë, por edhe nga ata që dinë të flasin bukur, që dinë të flasin edhe bindshëm.

Kur thashë se njerëzit duhet ta kthejnë kokën kah “Akademia”, e mendova këtë: që ata duhet ta kërkojnë, ta gjejnë, ta blejnë dhe ta lexojnë këtë revistë. Fuqia e “Akademisë” jeni ju, lexuesit e saj, pastaj janë të tjerët – sponsorët. S’e kemi bërë këtë revistë për të bërë më shumë para. E kemi bërë për të bërë punë më të vyeshme dhe më të shumta dhe për t’u dhënë përkrahje njerëzve që shkruajnë mirë. Nëse pyesni, ju themi se do të japim honorarë për autorët kurdo që përkrahemi financiarisht nga sponsorët. Neve na mjafton vetëm publikimi i saj. Neve na mjafton që njerëzit që shkruajnë bukur shqip dhe që shkruajnë mirë, të kenë një organ shtypi për botimin e shkrimeve të veta dhe ta kenë si të vetin, nën përgjegjësinë tonë: timen dhe të redaksisë. S’duam asgjë më shumë nga askush.

Kështu që, për ta realizuar idenë për këtë revistë dhe për t’ua hapur derën atyre njerëzve që shkruajnë gjatë dhe që tekstet e veta serioze dëshirojnë t’i botojnë në revista fizike, së pari u bëra ftesë për bashkëpunim pesë anëtarëve të redaksisë së revistës, Salajdin Salihut, Adem Gashit, Haqif Mulliqit, Rovena Vatës dhe Arif Molliqit. Pastaj, bashkë me këta, kush më shumë e kush më pak, nisëm bashkëpunimin dhe u bëmë thirrje disa miqve të rinj dhe të vjetër, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, edhe një pjese tjetër që jeton dhe krijon në shtetet perëndimore, që as nuk na kishin harruar e që as nuk i kishim harruar. Pra, u bëmë ftesë Rexhep Qosjes, Shefkije Islamajt, Bajram Kosumit, Ibrahim Gashit, Zymer Nezirit, Ardian Kyçykut, Bedri Zyberajt, Ali Pajazitit, Hajdin Abazit, Dije Demirit, Alma Lamçes, Klodian Briçit, Jorida Sotirit, Irena Gjonit, Albanë Mehmetajt, Ragip Sylajt, Eris Rusit, Arlind Farizit, Erenestina Gjergji-Halilit, Sali Bashotës, Isuf Sherifit, Mehrije Dacit, Lulëzim Etemajt, Sadik Krasniqit, Shefqet Dibranit, Bujar Mehollit, Brikena Qamës, Albana Kozelit, Josif Papagjonit, Emin Eminit, Donard Hasanit, Arian Krasniqit, Mentor Hajrizit, Arsim Jonuzit, Muhamet Mavrajt, edhe të ndjerit Ganimet Klaiqit, i cili, sa qe gjallë, ma kishte lënë dorëshkrim punimin e vet të masterit të mbrojtur në Fakultetin e Filologjisë, në Degën e Gjuhës Shqipe, për “Njoftueshmërinë në titujt e gazetave në Kosovë”, një pjesë të të cilit e gjeni në numrin e parë të kësaj reviste.

Jam shumë i nderuar dhe jashtëzakonisht u shpreh falënderim dhe respekt Rexhep Malokut, Besim Kokollarit, Shpresë Mulliqit, Alfred Bekës, Ardian Kyçykut, Leonora Buçincës, Nikollë Berishajt, Renato Kalemit, Tahir Dalipit, Brikena Qamës, Armela Hysit, Drita Lazrit, Kujtim Morinës, Llambro Rucit, Azem Qazimit, të cilët përkthyen, enkas për këtë numër të revistës, shkrime të shkrimtarëve që tashmë i njeh e gjithë bota. Të gjithë këta, autorët dhe përkthyesit, i falënderoj bashkërisht dhe veç e veç sepse nuk e di si do të bëhej revista pa këta emra të respektuar, të cilët e mbajtën fjalën që na kishin dhënë: na dërguan, me kohë, shkrimet për botim në revistë.

Për dallim nga këta që mbajtën fjalën, disa njerëz të tjerë, të cilëve u besuam dhe të cilët i patëm zgjedhur për bashkëpunim, na dështuan në orët e fundit, ani pse për dhjetë ditë rresht, në llogarinë time në “Facebook”, në kopertinë, ua kujtoja ditët e fundit të daljes së numrit të parë të revistës, duke numër mbrapsht 10, 9, 8, 7, 6, 5, 4, 3, 2, 1 dhe, në ditën 0, kur s’kisha pse t’i prisja më, nxora ballinën e revistës aty ku për dhjetë ditë rresht i nxora këta dhjetë numra, për t’u rënë, po për çdo ditë, “çekan” kokës së tyre e për t’ua kujtuar fjalët që na kishin dhënë. Mbase këta njerëz janë po si ata miqtë e mi që jua përmenda që në fillim të kësaj eseje, që as nuk donin kulturë më të mirë, as gjuhë më të saktë, as media që na ruajnë kulturën dhe gjuhën, të mirat dhe të këqijat tona që shkruajmë dhe që bëjmë. Megjithatë, pavarësisht prej mospërkrahjes së tyre, sërish e kanë derën hapur në këtë revistë për publikim të teksteve që kanë vlerë, edhe për diskutim të këtyre vlerave letrare dhe shkencore që janë publikuar në këtë numër të revistës. E kanë derën hapur të gjithë ata njerëz që dinë të shkruajnë. Po, sepse, po qe se e keni parë ballinën e revistës, aty e keni rezën e derës, te plisi që ka formën e A-së, e që është një skulpturë e Agim Islamajt me temë “Shqiptarët”, me të cilën u bëhet ftesë shqiptarëve. Ju mjafton vetëm ta ulni atë rezë poshtë, pa pasur nevojë ta fusni çelësin në vrimë, të futeni brenda dhe ta fillojmë bashkëpunimin për kulturë, gjuhë, media dhe, po bashkërisht, ta bëjmë një revistë me vlera edhe më të mëdha e më të shumta.

Së këndejmi, ju bëj me dije se revistën, edhe po qe se kurrë nuk i jepet përkrahje financiare nga askush, do ta botojë shtëpia botuese “Armagedoni” pa ndihmën e askujt. Por, me ndihmën dhe përvojën e juaj, “Akademinë” mund ta bëjmë shumë më të mirë sesa që është tash dhe të lexueshme nga kushdo dhe nga çdo moshë e njerëzve. Në këtë rast, ju lutem më falni kohë edhe pak sepse dëshiroj t’jua publikoj edhe parathënien e revistës, shkruar nga një prej anëtarëve të redaksisë së revistës (nga Adem Gashi), në emër të redaksisë:

“Përdorimi i teknologjisë informative dhe hapja e mediumeve, portaleve e rrjeteve sociale pothuajse e ka bërë të panevojshëm shpjegimin ose shpjegimet edhe për çështjet formale si, bie fjala, për kuptimet e nocioneve, të emrave dhe të dukurive.

Ç’të themi për ‘Akademinë’?

Mjafton një buton a zë në ‘Google’ dhe ‘Wikipedia’ dhe secila prej tyre ta shfaqë ‘Akademinë e Platonit’ me kohë e me vend themelimi. Po i lëmë mënjanë edhe fjalorët shpjegues ku gjendet përkufizimi për të si institucion edukativ e arsimor e të tjera.

Nuk i shmangemi dot as shoqërimit të ideve që na i dikton emërtimi i revistës. S’ka si të mos na vete mendja te një Akademi shqiptare në Tiranë që bëhet e zhbëhet sa herë ndërrojnë qeveritë; s’ka si të mos na kujtohet një Akademi e Shkencave dhe e Arteve në Prishtinë që është shndërruar në dërrasë kërcimi drejt pagës pas rënies nga postet të aktivistëve partiakë.

Duket cinike kjo? E nisim për së mbari, pra.

‘Akademia’ jonë është një revistë për kulturë, shkencë, gjuhë, art, arsim, media e të tjera. Derë e hapur për mendje të hapura, për njerëz të ditur e për krijues me vokacion.

Sigurisht që kemi qëllime, pretendime dhe aspirata për ta shpënë përpara nivelin e vlerave. Konkurrenca në këtë lëmë është treg i hapur ku ngrihesh, bie ose gjëllin vuajtshëm.

Po më tej?

Pavarësisht prej kalendarit të saj të publikimit, ne duam që ‘Akademia’ të lexohet gjatë gjithë vitit ose edhe më tej. Provën e parë e keni në duar. Të dytën jua sjellim pas katër muajve”.

Revistën, nga dita e enjte e datës 21. 12. 2017, e gjeni vetëm në redaksinë e gazetës “Epoka e re” në Prishtinë. Do ta dërgojmë për shitje, po qe se na japin mundësi mediat fizike dhe ato elektronike, në redaksitë e tyre. Por, nuk do ta dërgojmë në asnjë librari për shitje, absolutisht jo në këto në Prishtinë. E dini pse? Mos mendoni gjatë. Ja jua them troç: sepse libraritë u ndalin botuesve 40 % nga shitja e librave, e revistave etj. Do të thotë, ne i bie të punojmë për to, ju të ankoheni në neve se libri ka çmim të shtrenjtë.

Tashti, për fund, më vjen t’jua them prapë atë që e keni qysh në fillim, në titull: Gjejeni, blijeni dhe lexojeni “Akademinë”.

Gjithë të mirat!

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas 20 vjetësh, duke jetuar i mbyllur në kafaz, një…