Gjeloshaj: Krenarë që shqiptarët në Mal të Zi janë bartës të vlerave properëndimore
Kryetari i komunës së Tuzit dhe lider i Alternativës Shqiptare (ASH), Nik Gjeloshaj, ka takuar në Uashington senatoren Joni Ernst, Albanian Issues Co-Chair.
Ai gjatë këtij takimi ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati i tyre kryesor. “Jemi krenarë që shqiptarët në Mal të Zi janë bartës të vlerave properëndimore dhe euroatlantike”, ka deklaruar Gjeloshaj.
Ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore mes popullit amerikan dhe atij shqiptar.
“E njoftova senatoren e nderuar Ernst me situatën politike në Mal të Zi si dhe me situatën e shqiptarëve e ndër të tjera edhe me planet zhvillimore të Komunës së Tuzit, duke marrë vlerësime të mëdha për punën e administratës sonë dhe për bashkëpunimin me diasporën tonë në SHBA. Senatorja Ernst na falënderoi për faktin se jemi një popull proamerikan dhe na siguroi me vendosmëri se do të vazhdojnë të mbështesin shqiptarët, si dhe të gjitha veprimet dhe iniciativat e tyre”, ka shkruar Gjeloshaj në “Facebook”.
Gjatë takimeve në Uashington, Gjeloshaj është takuar edhe me Haley Stevens, U.S. representative nga Distrikti i 11-të i Kongresit të Miçiganit.
“Me kongresmenen fola për ecurinë e begatë të komunitetit tonë në Amerikë dhe veçanërisht në Michigan, ku shohim se edhe gjenerata e dytë e shqiptarëve po arrin sukses, duke arritur majat më të larta të skenës politike, shoqërore dhe ekonomike amerikane”, ka theksuar Gjeloshaj.