Gjeloshaj propozohet për zëvendëskryeministër, Dukaj për ministër të Malit të Zi

25 tetor 2023 | 19:44

Bartësi i Listës së Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, do të jetë kandidat i këtij koalicioni për zëvendëskryeministër në qeverinë e re malazeze, që do të drejtohet nga lideri i Lëvizjes “Evropa Tani”, Milojko Spajiç.

Pozitën e Ministrit të Administratës Publike do të ketë sërish Marash Dukaj, nga po ky koalicion.

Kështu kanë bërë të ditur nga vetë Forumi Shqiptar, duke plotësuar kështu detyrimet e marrëveshjes së arritur për formimin e qeverisë së re malazeze.

Gjeloshaj, aktualisht është Kryetari Komunës së Tuzit – e banuar me shumicës shqiptare, ndërsa Dukaj Ministër i Administratës Publike në qeverinë në largim të Dritan Abazoviç-it.

Nga Forumi Shqiptar kanë bërë të ditur se në bazë të marrëveshjes së të gjitha organeve partiake “u mor një vendim unanim për kandidatët që do të prezantojnë Forumin Shqiptar”.

Anëtarët e Forumit Shqiptar, siç shtohet në njoftimin e tyre, i rekomanduan dhe propozuan këta dy emra, duke ditur punën e madhe dhe kontributin e madh që kanë dhënë deri tani në pozicionet e tyre.

“Gjeloshaj dhe ekipi i tij e kthyen komunën e Tuzit në një model rajonal të qeverisjes së mirë, duke arritur një zhvillim të madh ekonomik dhe infrastrukturor”.

Dukaj, siç shtohet, i është propozuar që të vazhdojë të jetë ministër i Administratës Publike, “punë të cilën e ka kryer me profesionalizëm dhe sukses deri më tani, duke reformuar administratën publike dhe duke iniciuar ligje që Mali i Zi as nuk i ka pasur, siç është Ligji për Qeverinë”.

“Ministria e Administratës Publike nën udhëheqjen e zotit Dukaj në një vit ka punuar më shumë se sa kanë punuar ministrat e tjerë në atë fushë në dekadat e fundit. Kandidatët tanë për Qeverinë e 44-të do të punojnë gjithmonë për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe në atë drejtim”.

5513666_ministar-marash-dukaj-200_ff.jpg

Marash Dukaj

Ata pohuan se Forumi Shqiptar do të jetë “një faktor kyç” në proceset vendimtare politike dhe shoqërore, “me theks të veçantë në procesin e decentralizimit dhe të zhvillimit të fuqishëm ekonomik”.

Sipas marrëveshjes të nënshkruar javën e kaluar, qeveria e 44-të e Malit të Zi do të përbëhet nga Lëvizja “Evropa Tani (PES)” – si bartëse e koalicionit, pas fitore në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit – Demokratët, Partia Popullore Socialiste, Forumi Shqiptar, Aleanca Shqiptare, dhe me mbështetjen e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga kryeministri i ardhshëm malazez, njëherit lideri i Lëvizjes “Evropa Tani” Milojko Spajiç, liderët e “Demokracisë së Re Serbe”, Andrija Mandiç, Partisë Popullore Demokratike, Milan Knezheviç, Demokratit Aleksa Beçiç, Partisë Popullore Socialiste Vladimir Jokoviç, dhe CIVIS-it të Srdan Paviçeviç.

Po ashtu, nënshkrues të marrëveshjes janë edhe liderët e pesë partive shqiptare, tri të përbërë nga Forumi Shqiptar: Nik Gjeljoshaj, Ivan Ivanaj dhe Ferhat Dinosha dhe dy që janë në koalicionin e Aleancës Shqiptare: Fatmir Xheka dhe Genci Nimanbegu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) po qëndron…