Gjenden 15 kilogramë marihuanë në afërsi të rrugës Gjilan-Bujanoc
Të premten rreth orës 8:00, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në afërsi të rrugës Gjilan-Bujanoc, ndodhet një çantë e zezë e cila dyshohet se ishte lënë nga persona të panjohur në një livadh (shkurre).
Me të marrë informacionin, policët nga Stacioni Policor i Kamenicës kanë dalë në vendngjarje ku pas veprimeve të ndërmarra kanë konstatuar se dyshohet që në të gjenden substanca narkotike.
Në këtë rast janë inkuadruar edhe hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjilan së bashku me Forenzikën Regjionale të Gjilanit, ku pas hapjes së çantës kanë vërtetuar se në brendi kishte 31 paketime të plastikës me substancë narkotike të llojit marihuanë.
Pas verifikimit dhe aplikimit të procedurave të mëtejme është konstatuar se në atë çantë gjendeshin 31 paketime që peshonin 15 kilogramë e 215 gramë marihunë.
Në lidhje me rastin është njoftuar Prokuroria Themelore në Gjilan, ndërsa hetimet në lidhje me rastin janë duke vazhduar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.