Gjenden armë, granatë dore, antiplumba dhe radio lidhje në Zubin Potok, arrestohet një person
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se policia ka gjetur armë dhe eksplozivë si granatë dore, armë të gjata, municion, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike në Uglarë të Zubin Potokut.
Sveçla ka bërë me dije se personit të cilit i janë gjetur armët dhe pajisjet është arrestuar dhe lënda është proceduar në prokurori.
“Armë dhe mjete eksplozive si granatë dore, armë e gjatë, municion, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike janë zbuluar sot nga Policia e Kosovës gjatë bastisjes në një lokacion në fshatin Uglarë të Zubin Potokut. Personit të cilit i janë gjetur këto armë e pajisje është arrestuar dhe lënda është proceduar në Prokurori”.
“Asnjë kompromis ndaj krimit, individëve apo grupacioneve që cenojnë sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve tanë. Nuk do të ndalemi së punuari në mbrojtje të interesave tona shtetërore, siguri ndaj vendit e qytetarëve tanë, sundim të rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
Ai ka thënë se qeveria po vazhdon angazhimin në çrrënjosjen e krimit dhe “largimin e mbetjeve kriminale të Serbisë në vendin tonë”.