Gjenden dy trupa në një nga kabinat e jahtit luksoz të miliarderëve që u mbyt në Palermo
Trupat e pajetë të dy prej gjashtë personave të zhdukur pasi jahti luksoz Bayesian u mbyt në brigjet e Siçilisë, janë gjetur nga palombarët sot në mesditë, duke e çuar numrin e të vdekurve në tre.
Trupat e pajetë u gjetën në një kabinë pas mobiljeve dhe dyshekëve në kuvertën e poshtme të varkës, por ende nuk është kryer identifikimi i tyre.
Operacioni i kërkimit ka hyrë në ditën e tretë dhe vazhdojnë kërkimet për katër personat e tjerët që mbeten të zhdukur, ndërsa kapiteni i jahtit është marrë në pyetje nga prokurorët italianë, raporton televizioni A2.
Seanca e marrjes në pyetje të 51-vjeçarit James Catfield, zgjati mbi dy orë. Prokurorët e Termini Imerese dëgjuan rrëfimin e tij për të rindërtuar fazat dramatike të fundosjes dhe për të marrë detaje teknike të dobishme për hetimet.
Tetë zhytës nga e gjithë Italia dhe 20 deri në 50 persona nga urgjenca kanë punuar me përpikëri gjatë dy ditëve të fundit për t’i gjetur të zhdukurit.
Ndërkohë, ka ende shumë aspekte për t’u sqaruar nga tragjedia në Porticello. Stuhia ishte pika fillestare e asaj që ndodhi, por, siç përsëritet nga inxhinierët detarë, super jahti “kishte të gjitha mundësitë për t’i rezistuar erërave shumë të forta, rrufesë dhe përplasjeve me muret e dokut”.
Sipas zhytësve, byka dhe shtylla kryesore prej 75 metrash e Bayesian janë të paprekura, ndaj ndër hipoteza shfaqet edhe ajo e gabimit njerëzor, shkruan televizioni A2.
Corriere della Sera raporton se “The Italian Sea Group”, pronar të grupit Perini të Viareggio, që ndërtoi anijen me vela në vitin 2008, pretendon faktin se nga gjetjet e rojës bregdetare, direku nuk u thye, byku është i paprekur dhe nuk ka rrjedhje, kapakët janë të mbyllura dhe dritaret po ashtu të paprekura.
E teksa hipotezat pasojnë njëra-tjetrën, dyshimet janë se ajo që shkaktoi fundosjen e varkës ishte një vorbull gjigande uji që e ngriti varkën nga skaji dhe e shtyu nën det./A2