
Gjenden eshtra në Obranqë të Podujevës, dyshohet se janë të personave të zhdukur gjatë luftës
Eshtra të njeriut janë gjetur të mërkurën gjatë gërmimeve në fshatin Obranqë të Podujevës.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh), i cili në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Policinë e Kosovës, kanë hasur në këta eshtra që dyshohet se mund të jenë të personave nga lista e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Aktualisht, eshtrat e gjetura janë duke u ekzaminuar nga ekspertët e IML-së, me qëllim të identifikimit të saktë.
Këto gërmime janë realizuar në bazë të informacionit që qytetarët kishin ndarë në fund të muajit janar.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur shpreh përkushtimin e tij të vazhdueshëm në zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur dhe inkurajon qytetarët të vazhdojnë të ofrojnë informacione të vlefshme. Për çdo informacion shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë Komisionin”, ka njoftuar KQPZh-ja.