Gjenden kafkat e dy personave në Kizhevak

10 maj 2021 | 12:31

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se gjatë gërmimeve të fundit në Kizhevak të Serbisë janë gjetur kafkat e dy personave.

Ai ka treguar se gjatë së martës pritet të bëhet tërheqja e tyre, në mënyrë që tu merren mostrat për test të ADN-së.

“Deri më tani në sipërfaqe pas largimit të një shtrese të dheut dhe të gurëve kanë dal dy kafka dhe minimum dy persona për të cilët duhet të bëhet tërheqja e tyre dhe të bëhet inspektimi mjeko-ligjor dhe të merren mostrat për ADN”, ka thënë Gerxhaliu.

Ai ka deklaruar se në këtë vend do të gërmohet edhe ditëve në vijim.

“Të shtunën ka përfunduar punën ekipi i parë, sot në orën 07:00 është nisur ekipi i dytë gjithashtu prej tre anëtareve, do të punojnë deri të shtunën pra gjashtë ditë në javë punohet. Gjithsesi do të kemi punë edhe në javën në vijim e varësisht prej problematikave që munden me na lind në terren mund të ndodh që të zgjatet derisa të përfundojë tërësisht”, ka deklaruar ai për “Ekonomia Online”

Gërxhaliu ka deklaruar se nuk dihet numri i trupave që dyshohet se mund të jenë aty. “Edhe dy javë kemi punë, sa i përket numrit nuk e preferoj ta them, por mund të them që pala serbe e cila thotë herë 14 e herë 16, por doemos e dimë që ky grupacion i takon grupit të Rezallës e cila ndërlidhet me pjesën e gjetur në vitin 2014 në Rudnicë, bile prej dy identifikimeve të reja i takojnë atij grupacioni që ka qenë një investigim i yni i mëhershëm që kemi dyshuar, pra është vërtetuar e njëjta. Dhe kemi poashtu një ribashkim sepse gjysma e trupit të rastit të dorëzuar më herët ka dal tash në Kizhevak”, ka deklaruar ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Metorologu Akil Osmani nga MeteoAlb në një lidhje të drejtpërdrejtë…