Gjendet i vdekur 55-vjeçari nga Ferizaji, rezultonte i humbur nga dita e mërkurë
Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur pa shenja jete 55-vjeçari nga Ferizaji, i cili rezultonte i humbur nga dita e mërkurë.
Policia ka bërë me dije se viktima Naim Idrizi është gjetur i vdekur brenda veturës në një fushë afër fshatit Bablak të komunës së Ferizajit.
“Me datë 16.09.2021, rreth orës 21:00 në Stacionin Policor në Ferizaj është raportuar rasti “Person i zhdukur” i moshës 55 vjeçar ( m/Kosovar). Sot me datën 17.09.2021 Njësitet Policore kanë ndërmarrë veprimet operative/hetimore, ku rreth orës 11:00 Policia ka pranuar informacione se një veturë me një person brenda veturës gjendet në fushat afër fshatit Bablak-Ferizaj. Të gjitha Njësitet relevante Policore, përfshirë edhe Emergjencën e Ferizajt janë paraqitur në vendin e ngjarjes, ku nga ana e ekipit mjekësor është konstatuar vdekja e personit në veturë”, është thënë në njoftimin e policisë.
Policia ka vlerësuar se në bazë të hetimeve preliminare nuk është vërejtur ndonjë shenjë dhune në trupin e personit të pajete.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore të cilët e kanë tërhequr trupin e pajete, ku me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajete është dërguar në IML në Prishtinë për obduksion. Në bazë të hetimeve preliminare të Njësive Policore dhe ekipit të IML-së nuk është vërejtur ndonjë shenjë dhune në trupin e personit të pajete”, është thënë në njoftim.