
Gjendet i vdekur Fadil Syleviqi, policia jep detaje
Fadil Syleviqi, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, është gjetur të premten i vdekur te liqeni i Badovcit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.
“Sot, më 15.01.2021, pak pas orës 14:00, policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën që shpie nga ‘Mati’ për te liqenin e Badovcit, ku një person dyshohet se është pa shenja jete. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar familjarët e personit, si dhe ka ftuar prokurorin e shtetit dhe ekipet e mjekësisë urgjente”, ka thënë Krasniqi për “Express” .
Sipas tij, ekipet e hetuesisë dhe krim-teknikës janë duke shikuar vendin e ngjarjes.
“Ne vendngjarje mjekët kanë konstatuar se trupi i viktimës është i pajetë. Viktima është: F.S, mashkull. Ekipe të hetuesisë dhe krim-teknikës edhe në këto momente janë duke shikuar vendin e ngjarjes. Për informata të reja do t’ju njoftojmë me kohë”, ka deklaruar Krasniqi.