Gjendet i vdekur i moshuari që ishte zhdukur në Istog dy ditë më parë
12 janar 2024
| 20:53
Është gjetur i vdekur i moshuari Musë Leskova nga fshati Bajicë e Istogut i cili ishte raportuar i zhdukur më 10 janar nga familjarët e tij. I njëjti u gjet nga FSK-ja mesditën e sotme.
Viktima u gjet rreth 500 metra larg shtëpisë së tij, në afërsi të lumit Drini i Bardhë.
Rastin për Insjaderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Personi është raportuar i zhdukur më 10 janar, sot më datë 12, rreth orës 15:00 është gjetur buzë lumit Drini i Bardhë, rreth 500 metra larg shtëpisë. Sot gjatë mesditës iu kanë bashkangjitur kërkimit edhe FSK-ja”, tha Gashi.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Rasti është cilësuar ‘hetim i vdekjes’ dhe është urdhëruar nisjen e hetimeve.