Gjendet i vdekur një diplomat rus në Berlin
Një diplomat rus i dyshuar si agjent i fshehtë i shërbimit të inteligjencës është gjetur i vdekur para Ambasadës së Rusisë në Berlin muajin e kaluar, raportuan mediat gjermane më 5 nëntor.
Më 19 tetor, policia gjermane në Berlin e ka gjetur trupin e pajetë të diplomatit para ndërtesës së ambasadës, raporton “Der Spiegel”.
Pasi mediat kanë raportuar për këtë rast, Ministria e Jashtme e Gjermanisë përmes një zëdhënësi, ka thënë se janë në dijeni për rastin por nuk mund të ofrojnë më shumë detaje.
Gazeta gjermane në raportin e saj tha se shtetasi rus, 35-vjeçar, besohet se ka rënë nga kati i sipërm i ndërtesës së ambasadës, e cila gjendet në qendër të Berlinit.
Ambasada ruse nuk është pajtuar që trupit të pajetë të punonjësit të saj t’i bëhet autopsia.
Statusi diplomatik që kishte ai u pamundëson prokurorëve gjermanë të zhvillojnë një hetim, raporton “Der Spiegel”.
Bazuar në një listë zyrtare të diplomatëve të akredituar në Gjermani, ai figuronte si Sekretar i Dytë i Ambasadës.
Megjithatë, zyrtarët gjermanë të sigurisë dyshojnë se ai ishte një agjent i Shërbimit Federal të Sigurisë por që aktivitetin e tij e kishte mbuluar me pozitën e diplomatit, raporton “Der Spiegel”.
Mediat tjera, “Insajder” dhe “Bellingcat”, megjithatë, thonë se përmes burimeve mund të vërtetohet se i ndjeri është Kirill Zhalo, djali i gjeneralit, Alexei Zhalo, shef i Zyrës së FSB-së për Mbrojtjen e Sistemit Kushtetues.
Shërbimet perëndimore të inteligjencës e kanë ndërlidhur Kirill Zhalo me vrasjen e Zelimkhan Khangoshvili, ish-luftëtar separatist çeçen, që ka ikur nga Gjeorgjia në Gjermani, është qëlluar për vdekje në Berlin më 2019.