Gjendet në Ukrainë trupi i pajetë i ish-ushtarit të zhdukur britanik
Trupi i një ish-ushtari britanik i zhdukur në Ukrainë është gjetur nga autoritetet në vend, sipas policisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Ish-parashutisti ushtarak Daniel Burke, 36-vjeçar nga Mançesteri jugor, u raportua i zhdukur nga familja e tij më 16 gusht, transmeton Telegrafi.
Burke udhëtoi në Ukrainë vitin e kaluar si vullnetar ushtarak.
Ai u zhduk nga banesa e tij në Zaporizhzhia në fillim të gushtit, sipas The Daily Telegraph.
Policia e Mançesterit tha se po bashkëpunonte me familjen e Burke dhe autoritetet ukrainase për të bërë një identifikim formal dhe për ta sjellë trupin e tij në shtëpi.
“Kjo është një kohë shqetësuese për familjen e Danielit”, tha detektivi Lewis Hughes.
“Ekipi im dhe unë po punojmë me autoritetet ukrainase për të bërë identifikimin zyrtar me synimin për të sjellë trupin e tij pas atij procesi”.