Gjendet një trup i pajetë në Zhabar të Mitrovicës, dyshohet të jetë i luftës së fundit
Trupi i pajetë i një personi, që dyshohet se i përket luftës së fundit në Kosovë është gjetur i varrosur në varrezat e fshatit Zhabar të Mitrovicës.
Trupi është gjetur të premten e kaluar nga qytetarët, gjatë ceremonisë së varrimit të një banori në këto varreza.
Në lidhje me rastin është njoftuar policia, njësitet e së cilës kanë izoluar vendin dhe kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, ndërsa pritet ekipi i mjekësisë ligjore dhe organet tjera të vazhdojnë të merren me këtë rast.
Kryetari i shoqatës “Zëri i prindërve”, njëherësh udhëheqës i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini, ka bërë me dije për “Kosovapress” se gjatë një ceremonie të varrimit është hasur në një trup të pajetë që dyshohet të jetë nga lufta e fundit në Kosovë.
Sipas tij, shumë familjarë të të pagjeturve nga e premtja e kanë kontaktuar për të marrë informata rreth këtij rasti, por siç është shprehur ai nuk ka qenë në gjendje t’iu japin asnjë përgjigje.