Gjendet një varrezë masive në zonën që kontrollohej nga militantët e ISIS-it
Një varrezë masive me dhjetëra trupa është gjetur në territorin që ka qenë i kontrolluar nga grupi militant Shteti Islamik (ISIS).
Varreza është gjetur pasi Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga ShBA-ja, morën kontrollin mbi atë territor.
Trupat besohet të jenë të grupit minoritarë jazidë të cilët janë mbajtur peng nga militantët e Shtetit Islamik.
Varreza masive u gjet në enklavën e fundit që kontrollohej nga militantët e Shtetit Islamik në Baghouz, afër kufirit me Irakun, i ka thënë agjencisë “Reuters”, komandanti i Forcave Demokratike të Sirisë, Adnan Afrin.
“Trupat ishin të masakruar, shumica me koka të prera”, ka thënë ai.
Trupat siriane të mbështetura nga ShBA-ja kanë arritur të zmbrapsin militantët e Shtetit Islamik dhe t’iu marrin zonat të cilat ata i kishin nën kontroll.
Koalicioni ndërmjet arabëve dhe kurdëve të cilin e mbështesin Shtetet e Bashkuara, ka njoftuar më herët se ka filluar betejën përfundimtare “për të dëbuar” ekstremistët e ISIS-it, nga rajonet e mbetura nën kontrollin e këtij grupi në lindje të Sirisë.